Në Ditën Botërore të Mjedisit, që këtë vit zhvillohet nën moton “T’i japim fund ndotjes nga plastika”, Kryeministri Edi Rama ka ftuar qytetarët të bëhen pjesë aktive në mbrojtjen e mjedisit përmes përdorimit të teknologjisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se “ndryshimi fillon nga secili prej nesh” dhe prezantoi aplikacionin TEA, një mjet digjital që u jep mundësi qytetarëve të raportojnë problemet mjedisore, veçanërisht në zonat bregdetare.
“Me aplikacionin TEA mund të raportosh çdo problem mjedisor në plazhe, në pak sekonda. Ngarko një foto, përshkruaj problemin dhe ndihmo në mbrojtjen e natyrës. Raportimet dërgohen direkt tek institucionet përkatëse,” deklaroi Rama.
Aplikacioni vjen në një kohë kur Shqipëria përgatitet për sezonin turistik dhe sfida e ndotjes në plazhe mbetet shqetësim i vazhdueshëm. Kjo iniciativë synon të fuqizojë qytetarët dhe të rrisë transparencën e ndërhyrjeve institucionale.
Dita Botërore e Mjedisit, e cila festohet çdo vit më 5 qershor që prej vitit 1973 nën udhëheqjen e UNEP-it (Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin), është kthyer në platformën më të madhe globale për ndërgjegjësim dhe veprim mjedisor, duke bashkuar miliona njerëz në aktivitete online dhe fizike në mbarë botën.


