Plani amerikan me 28 pika për fundin e luftës në Ukrainë ka nxitur konsultime intensive midis liderëve evropianë dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Zelensky zhvilloi një seri bisedash telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer. Merz madje anuloi një aktivitet publik për t’u bashkuar në telefonatë, ndërsa raportohet se së shpejti pritet edhe një bisedë direkte me ish-presidentin Donald Trump.
Në këto kontakte, liderët evropianë theksuan se ushtria ukrainase duhet të jetë në gjendje të mbrojë sovranitetin e vendit dhe se çdo marrëveshje duhet të sigurojë interesat jetike të Ukrainës dhe të Evropës në afat të gjatë.
Zelensky shkroi në X:
“Po punojmë intensivisht mbi dokumentin që na paraqiti pala amerikane. Duhet të jetë një plan që garanton një paqe të vërtetë dhe dinjitoze.”
Po ashtu, Bashkimi Evropian është duke u përfshirë në këto përpjekje, me presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen, e cila do të flasë së shpejti me Zelenskyn.
Analistët parashikojnë se përpjekjet e aleatëve evropianë për të ngadalësuar ose bllokuar propozimin, i cili shihet si shumë i favorshëm për Moskën, do të jenë në qendër të samitit të G20 këtë fundjavë në Afrikën e Jugut, ku do të marrin pjesë Macron, Merz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe Keir Starmer.


