Katër personat e arrestuar pas ngjarjes së plagosjes së një 27-vjeçari në fshatin Dvoran të Korçës dolën sot para gjykatës.
Gjykata e Korçës caktoi masën “detyrim paraqitje” për tre prej tyre: Isuf Dalip, Dhimitër Kodra dhe Bilal Shkëmbi, ndërsa Thanas Paskali do të hetohet në gjendje të lirë.
Nga aktet e hetimit rezulton se katër të ndaluarit kanë ndërhyrë pasi Aleks Qiqi plagosi me thikë 27-vjeçarin Ari Kodra, duke e goditur edhe ata më pas. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se plagët e Qiqit janë të lehta.
Ndërkohë, për vetë autorin e plagosjes, 41-vjeçarin Aleks Qiqi, seanca u zhvillua në ambientet e spitalit rajonal të Korçës, pasi ai vijon trajtimin mjekësor. Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar ndaj tij masën “arrest me burg”.


