Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra pesë efektivë policie, për shkelje të rënda disiplinore dhe dyshime për veprime korruptive. Mes tyre është edhe miku i shënjestrës së atentatit në Rrilë të Lezhës.
Pezullimi i inspektorëve Sh. Ç. dhe I. L., që shërbenin në trafikun urban/interurban në Fier, u bë për shkelje të procedurave standarde të punës dhe cenim të imazhit të Policisë, sipas nenit 121, pika 1, germa “m”, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”. Ndaj tyre është nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë.
Pezullime të tjera përfshijnë:
Inspektor B. K., i ndaluar nga prokurori më 2 shkurt 2026 për shpërdorim detyre, lidhur me ngjarjen e 1 shkurtit në Rrilë të Lezhës.
Inspektor E. P., Oficer Patrulle në Komisariatin e Matit, për dyshim përdorimi të lëndëve narkotike.
Inspektor E. B., Oficer Patrulle në Komisariatin e Krujës, arrestuar nga AMP për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor më 2 shkurt 2026.
Në këto raste është bashkëpunuar me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroritë respektive për hetime të mëtejshme.
Policia e Shtetit thekson se është e vendosur të ndëshkojë çdo punonjës që cenon imazhin e Policisë apo shpërdoron detyrën, duke ftuar qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo sjellje të paligjshme ose joetike nga punonjësit e policisë.


