Disa incidente shoqëruan derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, teksa në “Arenën e Demave” pati përplasje para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes. Partizani, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ka shkruar se Policia e Shtetit mbërriti vonë për këtë ndeshje dhe dhuna erdhi si pasojë e mungesës së koordinimit dhe bashkëpunimit.
Klubi i kuq shkruan se lëndimi i efektivëve mund të ishte shmangur, ndërsa kërkohet një hetim i plotë për gjithçka çfarë ndodhi sot në fushë dhe në tribuna.
Por Policia e Tiranës ka një përgjigje për pretendimet e klubit.
Në lidhje me pretendimet mbi mbarëvajtjen e ndeshjes dhe masat e marra nga Policia e Tiranës, sqarojmë për opinionin publik se:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, pas marrjes së kërkesës për marrje masash më datë 03.02.2025 nga K.F. Partizani, ka njoftuar organizatorët më datë 04.02.2025 se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshjeje derbi, duke krijuar rrezik për incidente të mundshme.
Pavarësisht këtij njoftimi dhe mungesës së një përgjigjeje zyrtare nga organizatorët, Policia e Tiranës mori masa për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duke angazhuar 276 punonjës policie, të mbështetur nga 8 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë.
Përpjekjet e Policisë së Tiranës për të mbajtur situatën nën kontroll kanë qenë maksimale, por mbetet e qartë se mungesa e bashkëpunimit nga organizatorët dhe infrastruktura e papërshtatshme e ka vështirësuar ndjeshëm detyrën e policisë, duke e rënduar ngarkesën operacionale dhe duke ekspozuar efektivët ndaj rreziqeve të panevojshme. Po ashtu, situata e krijuar ka rrezikuar jo vetëm punonjësit e policisë, por edhe sportdashësit, lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, të cilët mund të ishin ekspozuar ndaj akteve të dhunshme dhe pasojave të mundshme të tyre.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për një bashkëpunim më të ngushtë me organizatorët dhe institucionet përkatëse, me qëllim që veprimtari të tilla të zhvillohen në ambiente që përmbushin standardet e sigurisë, duke shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme.


