Edmir V. nga Beogradi e vizitoi Finlandën në prill. Ai ndërroi fluturim në Stokholm dhe thotë se, për shkak të sistemit të ri evropian të hyrje-daljeve, për pak sa nuk e humbi fluturimin e radhës, edhe pse kishte tri orë kohë ndërmjet dy fluturimeve.
“Qëndron në radhë dhe pret, pret, pret… Oficeri kufitar fillon me pyetje për udhëtimet e mëparshme, përfshirë arsyet pse kam vizituar një apo një shtet tjetër evropian. Pyetjet ishin deri diku edhe të pakëndshme. Megjithatë, kaosi i vërtetë nisi kur ndodhi diçka me pajisjen, e cila papritur pushoi së funksionuari. Pastaj të gjithë udhëtarët u transferuan në të njëjtën radhë pritjeje”, tregon Edmiri në një bisedë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ngjashëm ka kaluar edhe Bojani nga Podgorica. Ai kishte arritur në aeroportin belg Charleroi dhe u përball me një radhë të gjatë njerëzish që prisnin të kalonin përmes sistemit.
Por, atë e shpëtoi fakti që po udhëtonte me një foshnje, ndaj kishte përparësi në kalim. Por, as kjo nuk do të thoshte se kaloi pa pritur, pasi numri i atyre që kishin “përparësi” ishte i madh.
Të tjerët, të cilët nuk udhëtonin me foshnja, thotë ai, u desh që të prisnin me orë të tëra.
Një grup kolegësh nga Kosova udhëtuan me makinë drejt Greqisë në fund të majit. Ata zgjodhën qëllimisht ditët e punës për hyrje dhe dalje nga vendi, me qëllim që të shmangnin pritjet e mundshme gjatë fundjavës. Ata kishin parë deklaratat e zyrtarëve evropianë se procedura zgjat shumë pak.
Megjithatë, thonë ata, procedura zgjati shumë më tepër nga sa kishin pritur.
Sipas personave me të cilët bisedoi REL-i, disa udhëtarë u detyruan t’u përgjigjeshin pyetjeve të policëve kufitarë për arsyet e udhëtimeve të mëparshme ose, për shembull, për mungesën e vulave në pasaportë që do të dëshmonin se kishin dalë nga Zona Shengen.
Të tjerë hasën në probleme teknike me skanimin e gjurmëve të gishtërinjve ose me fotografimin e fytyrës. Ata thonë se për çdo automjet priti të paktën 20 minuta.
Hana nga Beogradi në qershor arriti me aeroplan në Bergamo të Italisë. Pas mbërritjes, ajo u rreshtua në kolonën për udhëtarët që nuk janë shtetas të vendeve të Bashkimit Evropian.
Ajo priti rreth 45 minuta para se të kalonte kontrollin kufitar dhe procedurën e skanimit.
Pas kësaj, ajo udhëtoi me tren nga Italia në Zvicër. Kur ua dorëzoi pasaportën zyrtarëve kufitarë zviceranë, të dhënat e saj tashmë ishin të regjistruara në sistem. Në ekran u shfaq edhe fotografia e bërë gjatë kontrollit kufitar në Itali, duke treguar se informacionet ishin tashmë të qasshme për autoritetet kompetente.
Këta janë vetëm disa shembuj të përvojave të shtetasve të të ashtuquajturave vende të treta (shtete që nuk janë anëtare të BE-së), të cilët kalojnë nëpër procedurat e Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES).
Sistemi u fut në përdorim në tetor të vitit të kaluar, teksa u bë plotësisht operacional më 10 prill të këtij viti.
Çfarë përfshijnë rregullat e reja?
Bëhet fjalë për një sistem të automatizuar që zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave të udhëtarëve që hyjnë në zonën Shengen.
Sistemi zbatohet për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike, pavarësisht nëse për hyrje në BE u nevojitet vizë apo jo. Ai regjistron të dhëna biometrike, gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës, si dhe të dhëna personale dhe datat e udhëtimit, me qëllim përmirësimin e sigurisë së kufijve, zbulimin e personave që tejkalojnë kohën e lejuar të qëndrimit dhe parandalimin e keqpërdorimit të identitetit.
Që nga fillimi i zbatimit të këtij sistemi, është krijuar kaos në aeroportet evropiane. Rrjetet sociale janë mbushur me dëshmi për radhë të gjata pritjeje që ndonjëherë kanë rezultuar edhe me humbjen e fluturimeve.
Nga shërbimet kompetente evropiane thonë se EES tashmë po tregon rezultate pozitive. Nga ana tjetër, udhëtarët do të duhet të përshtaten, pasi kjo do të jetë tani pjesë përbërëse e udhëtimit.
Ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës pritet që në vitet e ardhshme ta lehtësojnë procesin. Megjithatë, viti i parë ka shumë gjasa të jetë i vështirë, ndërsa sezoni i verës do të përbëjë një sfidë të veçantë./REL


