Prokuroria greke së fundmi ka arritur të zbardhi dosjen e cila tregon më shumë mbi veprimtarinë e Aleksandër Sadikajt, 27-vjeçarit që u vra në vitin 2022 në Sauk në një atentat me eksploziv.
Sipas hetimeve të bëra bazuar në komunikimet në platformat “Sky ECC” dhe “Encrochat”, në periudhën 30.05.2020 – 30.06.2020, Aleksandër Sadikaj arriti të trafikonte në dy raste një sasi totale prej 295 kg marijuanë.
Drogës në Greqi “i dilnin zot” Viktorio Qytyku dhe Elson Hajredini.
Nga shitja e drogës mendohet që janë fituar afro 450.000 euro.
Sipas policisë greke, Sadikaj ishte përdorues i “Sky ECC” dhe “Encrochat”.
Autoritetet greke kanë në dispozicion komunikimet e “Sky ECC” për periudhën mars 2020 – mars 2021 dhe për “Encrochat” periudhën tre mujore mars – maj 2020.
Nga dosja hetimore zbulohet gjithashtu se anëtarët e kësaj organizate, kur kuptuan se “Sky ECC” dhe “Encrochat” nuk ishin më të besueshme, në komunikime deklaronin se do të përdornin platforma të tjera të kriptuara si “ChatMail”, “Cipher” ose “Ciphr” dhe “CryptonX”.


