Ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Rama me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Takimi, i cili zgjati më shumë se një orë, u përqendrua kryesisht te çështja e protestave, të cilat kryeministri i ka cilësuar si pjesë e një “lufte digjitale”.
Gjatë mbledhjes, Rama u ka kërkuar socialistëve që bashkë me deputetët të jenë sa më aktivë në terren, për të dëgjuar problematikat e qytetarëve. Madje, zyra e deputetëve, duhet të jetë gjithnjë e hapur për t’i pritur…
“Ndodhem në një luftë digjitale”, mësohet se ka thënë ai lidhur me protestat qytetare të zhvilluara për 24 ditë radhazi në Tiranë.
Duhet theksuar se në takimet e mëhershme mes socialistëve në fokus të diskutimeve ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërkohë, gjatë verës pritet të zgjidhen kryetarët e rinj të degëve të partisë.
Megjithatë, të paktën në tre javët e fundit, kreu i qeverisë ka qenë mjaft aktiv me postimet në rrjetet sociale dhe jo vetëm, sa i takon tubimit që zhvillohet në kryeqytet prej tre javësh tanimë.
Madje, në mbledhjen e para katër ditëve të grupit parlamentar të PS-së, ua bëri të qartë atyre që dalin në shesh se nuk do e japë dorëheqjen. Më shumë se protestë me një kauzë të qenësishme, ai e ka cilësuar një trend për vëmendje të nxitur nga histeria e rrjeteve sociale.
Fill pas këtij takimi, numri një i kabinetit do të mbledhë kryebashkiakët. Mësohet se tematika ka të bëjë me investimet në zonat urbane dhe problematikat që shoqërojnë qytetet kryesore. Me gjasë, në përfundim, do ketë një komunikim për mediet nga ana e Ramës.


