Ditën e sotme ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ku qëndroi për rreth 45 minuta.
Burimet bëjnë me dije se pas përfundimit të dëshmisë, Murrizi konfirmoi se u thirr në SPAK për një kallëzim që ai kishte bërë, por nuk dha asnjë detaj tjetër në lidhje me këtë.
Më tej ish-deputeti shton se informacioni lidhur me këtë çështje pritet të bëhet i njohur shumë shpejt.
Ai e cilësoi këtë si një akt të zakonshëm, duke u shprehur se nuk kishte marrë as kartën e identitetit, pasi nuk kishte pasur nevojë për të.
“SPAK-u ka kryer punë me Myslimin, bashkë me të gjitha prokuroritë e Shqipërisë. Jam i pari që jam hetuar për 10 muaj rresht nga një grusht fëlliqësirash në Policinë e Shtetit. Do ta merrni vesh më vonë. Oficeri më shoqëroi tek një prokuror, të cilin nuk e njoh, nuk ia mora kartën e identitetit, sepse nuk kisha marrë as kartën time me vete. Unë hyra me duar në xhepa, materialet shtesë i kanë ata që hyjnë me dosje. Unë për fatin e keq mbaj mend shumë, nuk kam nevojë për letra. Isha i thirrur si një nga 3.8 milionë votuesit dhe një nga 5 milionë shqiptarët”, deklaroi Murrizi.


