Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim për qytetarët amerikanë pas zhvillimeve të fundit gjatë protestave në kryeqytet, duke i këshilluar të shmangin zonat ku mbahen demonstrata.
Në njoftimin e publikuar këtë të enjte, ambasada bën me dije se protestat e përnatshme vijojnë përpara godinës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe se tubime të ngjashme mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera të vendit.
Sipas ambasadës, edhe pse demonstratat mund të nisin në mënyrë paqësore, situata mund të përshkallëzohet në një kohë të shkurtër. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të shmangin grumbullimet, të tregojnë kujdes ndaj zhvillimeve përreth dhe të ndjekin informacionet e autoriteteve dhe mediave lokale.
Në njoftim paralajmërohet gjithashtu për prani të shtuar të forcave të policisë, bllokime të mundshme të rrugëve, devijime të trafikut dhe vështirësi në lëvizje në afërsi të zonave ku zhvillohen protestat. Po ashtu, qytetarëve u sugjerohet të kenë një plan alternativ lëvizjeje dhe të mbajnë profil të ulët gjatë qëndrimit në ambiente publike.
Ky është reagimi i dytë i Ambasadës së SHBA-së lidhur me protestat në Tiranë dhe vjen pas përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit.


