Partia Demokratike i është bashkuar shqetësimeve për mënyrën se si u administrua votimi nga jashtë vendit, duke dorëzuar një ankesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas PD-së, janë shkelur rregullat e protokollit të firmosur mes KQZ-së, partive politike dhe kompanisë postare DHL, e cila ishte përgjegjëse për shpërndarjen dhe grumbullimin e materialeve zgjedhore.
Në ankesë thuhet se në shumë raste, zarfi me materialet zgjedhore nuk iu dorëzua personalisht votuesve, por personave të tretë, pa verifikim të identitetit dhe pa firmën e zgjedhësit. Në raste të tjera, zarfi është lënë thjesht në hyrje pallatesh apo në kuti postare.
PD thekson se situata më problematike është konstatuar në Greqi, ku disa persona të lidhur me Partinë Socialiste dyshohet se kanë tërhequr në mënyrë të organizuar zarfet e votuesve për të gjithë një zonë të caktuar, përmes operatorëve lokalë të nënkontraktuar nga DHL.
Përveç kësaj, PD rendit edhe një sërë problematikash të tjera si mosmbërritja e zarfeve, fletë votimi të pavulosura, ose me gabime, apo mosreagim nga ana e DHL-së për pyetjet e votuesve.
PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore kërkojnë nga KQZ dhe DHL një shpjegim të menjëhershëm për këto shkelje, ndërsa i kërkojnë SPAK-ut nisjen e një hetimi penal për të identifikuar dhe ndëshkuar çdo person përgjegjës.
Në përfundim, PD deklaron se “nuk do të lejojë manipulimin e votës së Diasporës nga patronazhistët dhe mekanizmat e regjimit të Edi Ramës”.


