TIRANË– Kryedemokrati Sali Berisha, ka komentuar ditën e sotme në një konferencë për mediat propozimin e deputetit Agron Shehaj, që partitë opozitare të dalin me një kandidat të përbashkët, por jopolitik, në zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës.
Në fjalën e tij ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se e mbështet plotësisht idenë për një kandidat të përbashkët, ku theksoi se nuk është dakord me kriterin që ai të jetë “jopolitik”.
“Për të dalë partitë opozitare me një kandidat këtë e mbështes plotësisht, por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i Bashkisë së kryeqytetit një njeri jopolitik këtë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Sepse të paktën duhet të ketë një program ku çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit. Nuk e di ç’nënkuptohet me një kandidat jo politik, por për një kandidat të përbashkët, plotësisht e drejtë.”– deklaroi Berisha./Radar.al


