Një situatë tensioni u regjistrua të martën vonë pasdite në qendër të Oslos, pasi një shpërthim i fuqishëm tronditi rrugën Pilestredet, duke alarmuar forcat e sigurisë.
Autoritetet norvegjeze konfirmuan se në vendngjarje u gjetën eksplozivë të tjerë që nuk ishin aktivizuar. Në një njoftim zyrtar, policia u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë larg dritareve dhe paralajmëroi qytetarët që të mos hyjnë në zonë.
Sipas mediave lokale, një 13-vjeçar është arrestuar, ndërsa dyshohet për përfshirjen e dy personave të tjerë. Hetuesit besojnë se shpërthimi fillestar u shkaktua nga një bombë dore, ndërsa një bombë tjetër u gjet dhe u neutralizua me një shpërthim të kontrolluar.
Forcat e armatosura të policisë bllokuan rrugën, zjarrfikësit qëndrojnë në gatishmëri, ndërsa helikopterët e policisë patrullojnë zonën. Qarkullimi i tramvajit është ndërprerë dhe automjetet pranë vendit të shpërthimit janë evakuuar.
Banorët e zonës kanë marrë mesazhe urgjente në telefonat e tyre celularë, duke u udhëzuar të qëndrojnë në vende të sigurta dhe larg zonës së rrezikut.


