DURRËS
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pamjet”, i cili çoi në identifikimin dhe arrestimin e një shtetasi të shpallur më herët në kërkim për disa vjedhje. Në pranga ka rënë Gentian Llana, 40 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh në automjete, banesa dhe ambiente të tjera në zonën urbane të qytetit.
Sipas burimeve zyrtare, falë këqyrjes së pamjeve filmike dhe provave të mbledhura gjatë hetimit, është dokumentuar se Gentian Llana ka kryer të paktën 5 vjedhje në lagjet nr. 12 dhe nr. 17 të Durrësit. Ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash në euro, aksesorë dhe sende me vlerë në automjete, ka marrë motoçikleta dhe është futur në banesa, prej nga ka grabitur objekte të çmuara.
Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar mjetet që i shërbenin autorit për kryerjen e vjedhjeve, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të tij në fushën e vjedhjes së pronës.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ku Gentian Llana do të përballet me akuzën penale të “Vjedhjes”, kryer më shumë se një herë.
Radar.al


