TIRANË– Në një kohë që kanë kaluar shtatë muaj nga ngjarja e rëndë në zemër të Tiranës ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani, sot janë publikuar pamjet e konfliktit mes nxënësve pranë shkollës, Fan Noli.
Videoja e siguruar nga kamerat e sigurisë së ndërtesës pranë vendit të ngjarjes shfaqin të gjitha lëvizjet e Mario Përlleshit, i cili akuzohet për vrasjen e Martinit, i ndjeri Martin Cani, shoku i tij Luis Meçe i cili u godit më shumë se njëherë si dhe bashkëmoshatar të tjerë.
Është gazetari Eraldo Harilcaj i cili ka publikuar për herë të parë pamjet nga dita që përfundoi në tragjedi për Martinin.
Me këto pamje gazetari kthen vëmendjen më 18 Nëntor të vitit 2024, në orën 14:13 minuta.
Në këtë video të publikuar shihen dy të rinjtë, Martin Cani dhe Mario Përlleshaj teksa ecin të dy krah njëri-tjetrit, ndërkohë që mbrapa po i ndjekin shokët, mes tyre edhe Luis Meçaj, miku i 14-vjeçarit i cili po ashtu mbeti i plagosur në këtë ngjarje.
Të rinjtë u futën në një rrugë e cila nuk është e monitoruar nga kamerat, ndërkohë që pas disa minuta ata shihen duke vrapuar.
Fillimisht janë shokët e tyre të cilët vrapojnë, ndërkohë që pas tyre është dhe Martini i cili mban me duar plagën në zemër. Siç evidentohet dhe në pamje, pas Martinit është duke vrapuar edhe Mario Përllashaj, teksa në duar mban thikën.
SHKRIMI I GAZETARIT:
Pikëpyetjet e çështjes së Martin Canit, video e ditës së ngjarjes
Në momentin që më ra në duar, këtu e një muaj më parë, dosja e Martin Canit me materialet e plota filmike, kisha shumë mëdyshje për publikimin e tyre. Zgjedhjet e 11 majit ma larguan nga mendimet për pak kohë. Kisha dhe kam pikëpyetje nëse po veproj mirë, apo gabim.
Megjithatë, janë disa paqartësi që më “shtyjnë” të publikoj materialet. Veprimet nga ana e Prokurororisë së Tiranës duke dërguar çështjen për gjykim pa një hetim të thelluar, por dhe deklarimet e fëmijëve në seancat me dyer të mbyllura.
Në video, shihen qartë Martini dhe Mario që u prijnë shokëve dhe shkojnë për t’u “sqaruar” te vendi i ngjarjes. Të ndjekur nga miqtë e tyre të identifikuar. Në momentin e bisedës mes tyre, referuar dhe deklarimeve në gjyq, ka qenë një nga djemtë e tjerë, jo Martini, që ka goditur i pari Marion në hundë. Më pas sherri ka agravuar, duke i marrë jetën Martinit dhe duke plagosur Luisin. Tragjedia ka ndodhur në më pak se 1 minutë.
Në pamjet filmike, duke ikur, shihet vetëm një thikë në dorën e Marios dhe Martini që vrapon duke mbajtur dorën në kraharor. Mario më pas kthehet te vendi i krimit, pasi i ka rënë këpuca dhe shkon ta rimarrë, pritet nga dy djem të tjerë që ndodhen aty.
Luisi, shoku i plagosur i Martinit, në seancën gjyqësore u ka treguar gjyqtarëve, por dhe prokurores Alma Felaj, plagët e tij. Ai i qëndron idesë se kanë qenë dy persona që kanë goditur me thikë, duke kërkuar rihetim.
Po ashtu, avokati i Marios, autorit të dyshuar, ka mbështetur deklaratën e Luisit, duke ngritur alibinë se nuk ka qenë ai personi që ka qëlluar Martinin. Ai pranon se ka përdorur thikën, por ka plagosur Luisin. Pra, Luisi dhe Mario, pretendojnë se ka qëlluar me thikë dhe një person i tretë. Pala e Marios pretendon se nuk është ai vrasësi.
Kush është personi i tretë që po mbahet i fshehur nga të gjithë? A ekziston vërtet një person i tretë që ka goditur? Si ka mundësi që dëshmitarët kanë ndryshuar deklarimet në gjyq ndryshe nga përgjigjet që i kanë dhënë prokurores dhe pasi janë rimarrë disa herë në pyetje nga ana e Alma Felajt? Kush është i rrituri që ka goditur me shpullë Martinin ditën e premte, në sherrin që ka pasur me Marion? Kush janë djemtë që kanë pritur Marion dhe shoku që e shoqëroi në spitalin privat, ku shihet me plagë në dorë.
Gjyqtarja Marinela Osmani vendosi rihetimin e ngjarjes, pas dokumentimeve të paplota nga Prokuroria. Deklaratat e dëshmitarëve i gjeti shumë të rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës.
Mario ende nuk ka dëshmuar. Ditën e mërkurë është seanca e radhës, ku është thirrur përpara gjykatës personi i rritur që ka goditur Martinin ditën e premte me shpullë. Ndërkohë që për përgjigjet e tjera nga sherri në shkollë, deri te arritja në spital, duhet të prisni Top Story – Top Channel e së mërkurës./
Radar.al
“Një ditë vetëm me Jonin?” Nuk është Ledri, me kë po pushon Xhensila Myrtezaj në jug të Shqipërisë