Një situatë që as nuk mund të përshkruhet me fjalë është ajo që po ndodh në Los Anxhelos, e krijuar nga zjarret që shpërthyen të martën në mbrëmje, 7 janar dhe brenda pak orësh është shpallur nga autoritetet gjendja e jashtëzakonshme.
Nga terreni vijnë pamje dhe imazhe të frikshme të flakëve që kanë përpirë dhe shkrumbuar banesa, pemë, struktura, godina dhe çfarë kanë gjetur përpara. Duke arritur deri në rrugë, të rrezikojnë jetët e njerëzve që po evakuohen me shpejtësi dhe panik, shkruan Radar.al.
Në lagjen “Pacific Palisades” në pjesën perëndimore të qytetit Los Anxhelos, zjarri shkatërroi një sipërfaqe prej më shumë se 5 kilometra katror, ndërsa tymi mbuloi qytetin. Flakët kanë depërtuar deri në qytezën bregdetare “Venice Beach”, rreth 10 kilometra më tej.
Autoritetet kanë mbyllur pjesë të autostradës së famshme PCH që kalon përbri oqeanit, për të ndihmuar me përpjekjet e evakuimit.
Zjarret po rrezikojnë edhe qytezën e famshme Malibu, rreth 32 kilometra nga qyteti Los Anxhelos, një zonë kodrinore përgjatë oqeanit. Edhe malet në qytezën e famshme Santa Monica janë përfshirë nga zjarret.
Zjarrfikësit po luftojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve në kodrat e qytetit Los Anxhelos ku jetojnë yjet e Hollivudit ndërsa një erë e fortë vazhdon ta godasë pjesën jugore të Kalifornisë.
Të paktën 200,000 abonentë në qarkun e Los Anxhelosit janë tani pa energji elektrike. Disa rrethe shkollore kanë njoftuar mbyllje për shkak të erërave të forta dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike
Është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme dhe presidenti Joe Biden ka miratuar përdorimin e parave federale për të mbështetur zonat e prekura
Miliona njerëz të tjerë në Kaliforni janë nën një paralajmërim të flamurit të kuq, që do të thotë se ata janë në një rrezik të shtuar për zjarre të mëdha./Radar.al



