Një ortek i fuqishëm ka rrëmbyer disa skiatorë në akullnajën Stubai, pranë Qafës Daunscharte në Austri, duke shkaktuar panik dhe duke mobilizuar një nga operacionet më të mëdha të kërkim-shpëtimit në zonë.
Autoritetet konfirmuan se ekipet e emergjencës kanë arritur të nxjerrin nëntë persona të gjallë, ndërsa tre prej tyre u transportuan me helikopter drejt një spitali në Tirol. Nuk dihet ende shkalla e lëndimeve të tyre.
Rreth 250 shpëtimtarë, mes tyre ekipe me qen të trajnuar dhe helikopterë kërkimi, u angazhuan në operacion. Masa të mëdha bore u rrëshqitën deri në pjesët e ulëta të pistës, duke detyruar pezullimin e funksionimit të saj për arsye sigurie.
Pavarësisht reagimit të menjëhershëm, autoritetet thanë se deri në mesditë nuk ishte e sigurt nëse nën dëborë mund të kishte ende persona të bllokuar. Kërkimet vazhdojnë nën kushte të vështira moti dhe me rrezik të shtuar për ortekë të tjerë.


