Vijon operacioni policor i koduar “Stolen Line”, i finalizuar një ditë më parë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë.
Në kuadër të operacionit, janë sekuestruar dy automjete luksoze, një Audi A6 dhe një Audi A5, me vlerë rreth 105,000 euro. Një ditë më parë, policia kishte sekuestruar edhe dy automjete të tjera me vlerë 110,000 euro.
Nga hetimet ka rezultuar se:
• V. M(L). dyshohet se ka trafikuar Audi A6, i cili ishte i vjedhur në Gjermani, me qëllim shitjen në Shqipëri.
• J. C. dyshohet se ka trafikuar Audi A5, i cili rezulton i vjedhur në Bullgari, po ashtu me qëllim shitjen në Shqipëri.
Të dy automjetet, prodhime të viteve të fundit, u sekuestruan si prova materiale.
Operacioni policor “Stolen Line” vijon, ndërsa materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


