TIRANË– Janë zbuluar detaje të reja sa i takon operacionit antidrogë të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.
Burimet bëjnë me dije se nga ‘Antidroga’ janë arrestuar 15 persona, dy prej të cilëve u është komunikuar akuza në qeli pasi janë kapur më herët në operacione të mëparshme. Ndërkohë blutë kanë shpallur në kërkim 16 persona të tjerë.
Sipas informacioneve të deritanishme mësohet se ky grup kriminal ishte përfshirë në shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë.
Të akuzuarit dyshohet se furnizonin me drogë disa zona të ndryshme të Tiranës, por shpërndanin gjithashtu drogë dhe në afërsi të shkollave. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar doza narkotike. Hetimi ndaj tyre ka nisur përpara disa muajve dhe është procedim i nisur në kuadër të goditjeve të mëparshme ku në përgjime dhe zbërthime të mesazheve janë zbuluar dhe personat e arrestuar dhe të shpallurit në kërkim si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./Radar.al


