Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Kurti paralajmëron zgjedhje të “njëpasnjëshme” nëse s’arrihet marrëveshje domosdo për president

    Rama takon në Athinë kryeministrin Mitsotakis: Po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura

    Këmbimi valutor 22 Prill 2026/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Botë

    Bllokimi i internetit ua vështirëson jetën edhe më shumë iranianëve në kohë lufte

    April 22, 2026

    Mbi 54 ditë janë bërë qëkurse u ndal interneti në Iran, gjë që nënkupton se kjo është ndërprerja më e gjatë e internetit në nivel kombëtar që nga ajo në Libi, e cila kishte zgjatur pothuajse gjashtë muaj gjatë Pranverës Arabe në vitin 2011.

    Megjithatë, ky krahasim nuk i pasqyron plotësisht përmasat: popullsia e Iranit prej mbi 90 milionë banorësh është rreth 15 herë më e madhe sesa ajo e Libisë në atë kohë, prandaj, kjo mbase është ndërprerja më e madhe e komunikimeve me urdhër të Qeverisë në histori.

    Vëzhguesi i internetit, NetBlocks, e ka përshkruar këtë si “diçka e paparë për nga përmasa dhe ashpërsia në komunikimet e një shoqërie”.

    Ndalja filloi më 28 shkurt, menjëherë pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Prej atëherë, të dhënat publike të rrjetit tregojnë se trafiku ndërkufitar i internetit ka mbetur nën 1 për qind të mesatares së parandërprerjes për pothuajse të gjithë periudhën.

    Me fjalë të tjera, për shumicën dërrmuese të iranianëve, qasja në çfarëdo faqe interneti ose aplikacioni jashtë vendit ka qenë praktikisht e pamundur.

    Ajo që e dallon këtë ndërprerje nga ajo e janarit nuk është vetëm kohëzgjatja, por edhe arkitektura e kontrollit që Irani e ka ndërtuar rreth saj.

    Në vend të ndërprerjes së plotë, autoritetet kanë mbajtur një sistem të ndërlikuar “selektimi”, duke u dhënë qasje vetëm institucioneve, kompanive dhe individëve të parapëlqyer, duke e përjashtuar popullsinë.

    Në javët e fundit, ky sistem është formalizuar më tej përmes një skeme me pagesë të quajtur Internet Pro, e cila u lejon pronarëve të bizneseve dhe akademikëve të blejnë qasje në nivelet e para ndërprerjes.

    Kritikët e kanë cilësuar këtë si një formë e internetit të ndarë sipas shtresave ose klasave.

    Amnesty International i ka kritikuar autoritetet iraniane për zbatimin e asaj që e quan “errësirë digjitale”, duke e përshkruar qasjen në internet si “të drejtë themelore njerëzore dhe të domosdoshme në kohë konflikti”.

    Çmimi i shkëputjes

    Më 12 prill, Dhoma e Tregtisë e Iranit e mbajti një seancë të përbashkët të komisioneve të saj, duke mbledhur përfaqësues nga Qeveria, Parlamenti dhe sektori privat për t’u përballur me atë që pjesëmarrësit e përshkruan si emergjencë ekonomike që po përshkallëzohet.

    Shifrat e paraqitura ishin tronditëse. Afshin Kolahi, kreu i komisionit për ekonominë, përmendi humbje të drejtpërdrejta ditore prej 30 deri në 40 milionë dollarësh, ndërsa dëmet indirekte arrijnë nga 70 deri në 80 milionë dollarë në ditë.

    Për t’i bërë më të prekshme përmasat, ai iu referua një ngjarjeje ende të freskët në mendjen e iranianëve: më 2 prill, sulmet ajrore të SHBA-së shkaktuan shembjen e pjesshme të urës B1 në Karaj – urës më të lartë në Iran që lidh Teheranin me periferitë perëndimore – duke vrarë tetë civilë, sipas raportimeve.

    Kolahi vlerësoi se rindërtimi i kësaj ure do të kushtojë rreth 20 milionë dollarë.

    Ndërprerja e internetit, tha ai, po shkakton humbje të barasvlefshme me shkatërrimin e katër urave të tilla – ose dy termocentraleve me një kosto rreth 3 milionë dollarë për megavat kapacitet prodhues.

    Rreth 300.000 deri në 500.000 njerëz të punësuar në biznese të vogla që varen nga interneti rrezikojnë ta humbin vendin e punës, shtoi ai, ndërsa vetëm një pjesë e vogël kanë ndonjë formë sigurimi.

    Këto shifra përputhen me vlerësimet nga vetë brenda Qeverisë.

    Ministri i Telekomunikacionit, Sattar Hashemi, ka vlerësuar koston ditore për thelbin e ekonomisë digjitale në 35 milionë dollarë, pa përfshirë efektet zinxhir në ekonominë më të gjerë makroekonomike.

    Kolahi i paraqiti humbjet në terma që shkojnë përtej ekonomisë.

    “Ndalja e internetit në gjithë vendin krijon zemërim të qëndrueshëm në shoqëri”, u shpreh ai gjatë seancës, përpara se t’u drejtonte një pyetje të drejtpërdrejtë zyrtarëve të pranishëm: Çfarë analize për koston apo përfitimin është bërë realisht para marrjes së këtij vendimi?

    Pse qasja selektive nuk është zgjidhje

    Gjatë seancës gjithashtu pati kritikë më të ashpër ndaj qasjes së “listës selektive”, duke sfiduar jo vetëm vetë ndërprerjen, por edhe zgjidhjen e preferuar të Qeverisë.

    Mehdi Omidvar, zëdhënës i Dhomës së Esnafeve të Iranit, argumentoi se rikthimi i qasjes në internet për bizneset, por jo edhe për konsumatorët, nuk ka kuptim. Tregtia digjitale varet nga të dy anët e transaksionit; një shitës me qasje në internet është i pavlerë nëse klienti që përpiqet ta kontaktojë nuk ka internet.

    Omidvar e përshkroi internetin si pjesë të pandashme të jetës ekonomike të çdo biznesi aktiv. Ndërprerja e tij nuk e ka prishur thjesht tregtinë; ajo e ka ndalur trajektoren e ekonomisë digjitale të Iranit pikërisht në momentin kur vendet e tjera në zhvillim po e përshpejtojnë atë.

    Rreziqet afatgjata, paralajmëroi ai, shkojnë përtej humbjes së të ardhurave. Qasja e ndarë sipas shtresave rrezikon të thellojë përçarjet shoqërore, të dëmtojë besimin në sektorin digjital dhe të përshpejtojë emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar./REL

    Libi lufta ne libi
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Kurti paralajmëron zgjedhje të “njëpasnjëshme” nëse s’arrihet marrëveshje domosdo për president

    April 22, 2026

    Rama takon në Athinë kryeministrin Mitsotakis: Po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura

    April 22, 2026

    Këmbimi valutor 22 Prill 2026/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro

    April 22, 2026

    Bordi i Transparencës rrit sërish çmimin e naftës dhe benzinës

    April 22, 2026
    Mos e humb
    Fokus April 5, 2026

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Nga Flogert Muça Në diskursin politik shqiptar, sa herë që procesi i integrimit në Bashkimin…

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    “Po pushton Tiranën”/ Pse Philipp Plein i adhuron shqiptarët? (VIDEO)

    Ish-shoqëruesi besnik i Fatos Nanos: Arben Ahmetaj, dy fjalë kam për ty

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Parashikimi i horoskopit 22 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 21 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 20 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.