Prokuroria suedeze, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka zhvilluar një operacion kundër një personi të dyshuar për krim të organizuar, pastrim parash dhe trafikim të narkotikëve.
Një person u arrestua të enjten në zonën e Göteborgut dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa paralelisht në Kosovë u kryen bastisje dhe u sekuestruan prona të paluajtshme, një automjet dhe shuma të konsiderueshme parash.
Autoritetet suedeze thanë se gjatë operacionit u siguruan prova shtesë, përfshirë objekte me vlerë dhe materiale digjitale, të cilat do të shërbejnë për hetime të mëtejshme. Operacioni u koordinua ngushtë me Prokurorinë Speciale të Kosovës, bashkëpunim që autoritetet suedeze e cilësuan vendimtar për suksesin e aksionit.
Prokurori Daniel Larson nga Autoriteti Suedez për Krime Ekonomike deklaroi se legjislacioni i ri po përdoret për të goditur asetet kriminale brenda dhe jashtë vendit. Tomas Stakeberg Jansson, shef i policisë në rajonin Perëndimor të Suedisë, shtoi se krimi nuk duhet të shpërblehet dhe synimi është konfiskimi i fitimeve të paligjshme.
Hetimet udhëhiqen nga prokurorët Daniel Larson dhe Håkan Larsson nga Njësia Kombëtare kundër Krimit Ndërkombëtar dhe të Organizuar (RIO).


