Autoritetet italiane kanë zhvilluar një operacion të gjerë policor kundër trafikut të lëndëve narkotike, duke goditur një organizatë kriminale shqiptare që vepronte në zonën e L’Aquila. Si rezultat i aksionit janë arrestuar 16 persona, ndërsa 40 të tjerë janë vënë nën hetim për trafik dhe posedim kokaine.
Sipas mediave italiane, aktiviteti i shpërndarjes së drogës organizohej përmes mesazheve të koduara dhe sistemit “delivery”, që garantonte dorëzimin e lëndës narkotike direkt në banesat e klientëve.
Hetimet kanë zbuluar se pjesëtarët e grupit mbërrinin nga Shqipëri në Itali me viza turistike. Bëhej fjalë kryesisht për të rinj në fillim të të njëzetave, pa precedentë penalë. Ata fillimisht vendoseshin në Romë dhe më pas orientoheshin drejt L’Aquila, ku banonin në apartamente në periferi të qytetit. Për të shmangur zbulimin, përdornin makina me qira, telefona të kufizuar dhe karta SIM që i ndërronin vazhdimisht.
Sipas Drejtorisë së Qarkut Anti-Mafia në L’Aquila, grupi kishte krijuar një rrjet të organizuar të trafikut të kokainës në kryeqendrën e rajonit të Abruzzos dhe zonat përreth. Hetimi nisi në janar të vitit 2025 dhe u koordinua nga prokurorja Roberta D’Avolio, nën drejtimin e prokurorit të qarkut Alberto Sgambati.
Sipas prokurorisë, në aktivitet ishin të përfshira tre organizata kriminale të ndara, por të lidhura mes tyre dhe me një strukturë operative në Shqipëri, e cila menaxhonte rekrutimin e personave, furnizimin me drogë dhe lëvizjen e trafikantëve.
Karabinierët kanë monitoruar për më shumë se një vit lëvizjet e grupit përmes kamerave të fshehta, shërbimeve të vëzhgimit dhe kontrolleve në periferi dhe zonat rurale të L’Aquila. Sipas hetimeve, kokaina fshihej në pyje, fshatra dhe zona periferike përreth qytetit.
Gjatë operacionit janë kryer 16 arrestime në flagrancë dhe është sekuestruar rreth një kilogram kokainë. Hetuesit dyshojnë se grupi kishte shitur të paktën 3,200 doza droge, me një fitim të vlerësuar rreth 125 mijë euro.
Autoritetet italiane kanë identifikuar mbi 100 blerës të drogës, të cilët janë raportuar pranë prefekturave përkatëse. Sipas prokurorisë, aktiviteti kriminal shtrihej jo vetëm në L’Aquila dhe zonat përreth, por kishte lidhje edhe me rajonet e Toskana dhe Veneto.
“Ky operacion nuk e zgjidh problemin e drogës, por përfaqëson një goditje të rëndësishme ndaj organizatave kriminale që kanë vepruar prej kohësh në këtë territor”, deklaroi prokurorja Roberta D’Avolio.


