Kur Brazili dhe Japonia të zbresin sonte në fushë në Kupën e Botës 2026, për miliona tifozë kjo nuk do të jetë thjesht një ndeshje futbolli. Do të jetë rikthimi i një historie që ka shoqëruar fëmijërinë e brezave të tërë: “Oli dhe Benxhi”.
Anime legjendare japoneze, e njohur në mbarë botën si “Captain Tsubasa”, u ndërtua mbi ëndrrën e Japonisë për t’u ngjitur në majën e futbollit botëror. Në këtë rrugëtim, sfida më e madhe ishte gjithmonë Brazili, vendi i futbollit spektakolar, i kampionëve legjendarë dhe i idhullit të protagonistit, Roberto Hongo.
Kur manga u botua për herë të parë në vitin 1981, Japonia ende nuk kishte një kampionat profesionist futbolli. Megjithatë, historia e krijuar nga Yoichi Takahashi u kthye në një frymëzim për breza të tërë dhe konsiderohet si një nga veprat që ndikoi në rritjen e popullaritetit të futbollit në vendin aziatik.
Në serial, Tsubasa Ozora ëndërron të luajë në Brazil, të sfidojë futbollistët më të mirë të botës dhe ta shndërrojë Japoninë në një superfuqi të futbollit. Pikërisht për këtë arsye, sa herë që Brazili dhe Japonia përballen në realitet, tifozët rikthejnë menjëherë në kujtesë episodet e “Oli dhe Benxhi”.
Edhe këtë herë, rrjetet sociale janë mbushur me krahasime mes animes dhe Botërorit, ndërsa shumë tifozë e kanë cilësuar sfidën si “ndeshja që e kemi parë që fëmijë”. Edhe pse bëhet fjalë për një rastësi artistike dhe jo për një parashikim, është e pamundur të mos vihet re ngjashmëria mes historisë së imagjinuar nga Yoichi Takahashi dhe përballjes së sotme.
Për ata që janë rritur me “Oli dhe Benxhi”, Brazili kundër Japonisë do të jetë shumë më tepër se 90 minuta futboll. Do të jetë përplasja mes ëndrrës dhe realitetit.
Një detaj interesant është se në historinë e “Captain Tsubasa”, Japonia arrin të mposhtë Brazilin me rezultatin 3-2, një rezultat që shumë tifozë e kujtojnë me nostalgji sa herë që dy kombëtaret përballen në fushën e blertë.


