Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria nuk do të ndërhyjë kurrë në proceset gjyqësore. Ai nënvizoi se respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe largimi i ekzekutivit nga çdo proces gjyqësor, përfshirë përzgjedhjen, shkarkimin apo ndjekjen e prokurorëve dhe gjykatësve, është një parakusht thelbësor për të garantuar një sistem drejtësie funksional dhe të pavarur.
“Kjo nuk është vetëm një kërkesë e Bashkimit Europian, por një domosdoshmëri për të ardhmen tonë. Një drejtësi e pavarur bën dallimin mes një vendi ku të drejtat dhe liritë janë të garantuara dhe një vendi ku ato varen nga rrethanat jashtë ligjit,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se ky qëndrim i prerë i qeverisë është pjesë e misionit kombëtar për të konsoliduar sundimin e ligjit dhe për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE, duke u siguruar që proceset gjyqësore të jenë të pakushtëzuara nga ndikime politike.


