Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur paraditen e kësaj të marte në Portin e Durrësit, në zonën pranë skanerit të automjeteve.
Viktima është Nexhmi Shabani, 62 vjeç, banues në Kosovë, i cili humbi jetën në spital pasi u përplas nga një kamion.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, kamioni drejtohej nga Nikolin Merdari, 49 vjeç, banues në Berat. Dyshohet se ai ka goditur aksidentalisht 62-vjeçarin, i cili ishte duke lëvizur në këmbë për të dorëzuar dokumentacionin e kamionit të tij, me qëllim kalimin në skaner.
Fillimisht u raportua se i dëmtuari kishte pësuar lëndime të lehta, por gjendja e tij u rëndua dhe ai ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Pas ngjarjes, drejtuesi i kamionit është shoqëruar në Komisariat, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.


