Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i ka akorduar “Medaljen e Artë të Shërbimit Ushtarak” shefit të Grupit Ushtarak Amerikan në Shqipëri, nënkolonel Joshua A. Magnusson, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dekorata iu dorëzua me rastin e përfundimit të mandatit të Magnusson në krye të misionit ushtarak amerikan në vend. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vlerësimi u dha për rolin e tij në forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe për angazhimin në zbatimin e programeve të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Gjatë ceremonisë, ministri Nufi e cilësoi aleancën me SHBA-në si një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e njerëzve që kanë ndihmuar në konsolidimin e kësaj marrëdhënieje.
“Partneriteti ynë me SHBA është një gurthemeli i sigurisë sonë kombëtare. Kjo medalje është një vlerësim për shërbimin dhe përkushtimin e treguar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura”, u shpreh ministri.
Në të njëjtën ceremoni, ministri i Mbrojtjes i dorëzoi edhe Certifikatën e Mirënjohjes rreshterit amerikan Emmanuel Ebhoomhan, koordinator i operacioneve pranë Zyrës së Atasheut Ushtarak të SHBA-së në Shqipëri, për kontributin e tij në mbështetjen e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.


