Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ka lëshuar një paralajmërim publik lidhur me qarkullimin e disa email-eve të falsifikuara që përdorin logon dhe emrin e institucionit me qëllim mashtrimi dhe vjedhjeje të të dhënave personale të qytetarëve.
Sipas deklaratës zyrtare, këto komunikime të rreme tentojnë të përfitojnë në mënyrë të paligjshme duke synuar akses në llogaritë personale të përdoruesve në rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram.
RTSH thekson se nuk ka autorizuar asnjë subjekt për të dërguar email-e të tilla dhe distancohet plotësisht nga këto veprime mashtruese. Institucioni u bën thirrje qytetarëve që të verifikojnë burimin e çdo email-i që pretendohet të vijë nga RTSH, të mos klikojnë mbi lidhje të dyshimta, të raportojnë menjëherë tek autoritetet çdo rast të dyshuar mashtrimi.
“RTSH mbetet i angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe besimin e publikut. Për çdo informacion zyrtar, ftojmë qytetarët të ndjekin vetëm kanalet tona të komunikimit”, përfundon njoftimi.

NJOFTIMI I RTSH:
Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) dëshiron të informojë publikun që sot po qarkullojnë online një seri email-esh të falsifikuara nën emrin e RTSH apo të subjekteve të autorizuara nga ne, të cilat kanë si qëllim vjedhjen e të dhënave personale. Këto email-e përmbajnë përpjekje për mashtrim dhe përfitim të paligjshëm, duke synuar aksesin në llogaritë personale nëpër platformat sociale, si Instagram dhe Facebook.
RTSH thekson se nuk ka autorizuar askënd dhe nuk ka asnjë lidhje me këto komunikime, dhe distancohet plotësisht nga çdo përpjekje për manipulim dhe mashtrim nën emrin e institucionit. U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin këta hapa për të mbrojtur veten e tyre:
Verifikoni burimin e email-eve – RTSH nuk dërgon asnjë mesazh të tillë që kërkon informacione sensitive për llogaritë personale.
Mos klikoni mbi asnjë link të dyshimtë – Mesazhet e falsifikuara mund të përmbajnë lidhje që synojnë të vjedhin të dhënat tuaja.
Raportoni çdo email mashtrues – Çdo email i dyshimtë mund të raportohet tek autoritetet e sigurisë kibernetike për të parandaluar përhapjen e tij më tej.
RTSH mbetet i përkushtuar për të garantuar transparencë dhe siguri për publikun shqiptar. Për çdo informacion të mëtejshëm dhe përditësime zyrtare, ju ftojmë të vizitoni faqen tonë zyrtare dhe kanalet tona të komunikimit.
Faleminderit për besimin tuaj!


