Dritan Gjika, 47-vjeçari shqiptar i arrestuar së fundmi në Abu Dhabi, është një nga personat më të kërkuar në Ekuador për një sërë akuzash të rënda që përfshijnë trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe drejtimin e një organizate të fuqishme kriminale.
Gjika është identifikuar nga autoritetet ekuadoriane si udhëheqësi i mafies shqiptare në këtë vend të Amerikës Latine, me veprimtari që shtrihen në Kolumbi, Amerikën Qendrore dhe Evropë. Ai dyshohet se ka organizuar dhe mbikëqyrur transportimin e sasive të mëdha të kokainës drejt tregjeve ndërkombëtare, duke përdorur rrjete të sofistikuara trafikimi dhe korrupsioni.
Ministria e Brendshme e Ekuadorit, përmes një deklarate zyrtare, e cilëson Gjikën si “një nga burrat më të kërkuar në vend” për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar. Arrestimi i tij u realizua më 26 maj, në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërkombëtar, me mbështetjen e Interpolit dhe agjencive ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit, që në shkurt të vitit 2024, e kishte shpallur Gjikën si udhëheqës të mafies shqiptare në këtë vend, por nuk arriti ta sillte përpara drejtësisë për shkak të arratisë së tij jashtë territorit ekuadorian.
Përveç akuzave për trafik narkotikësh, Dritan Gjika është në qendër të një hetimi të zgjeruar për pastrim parash në vlerën e 31 milionë dollarëve. Kjo shumë dyshohet se është futur në qarkullim përmes bizneseve fasadë dhe transaksioneve të dyshimta ndërkombëtare.
Prokuroria ekuadoriane e ka lidhur Gjikën me katër persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë: Mario S., Carina E., Carlos G. dhe Pablo H., të cilët gjithashtu po hetohen për rolet e tyre në funksionimin e rrjetit të pastrimit të parave të gjeneruara nga aktivitetet kriminale.
Sipas hetimeve, grupi kriminal që drejtohej nga Gjika kishte ngritur një strukturë të sofistikuar logjistike për të mundësuar jo vetëm trafikun e drogës, por edhe integrimin e fitimeve të paligjshme në sistemin financiar ndërkombëtar.
Arrestimi i Dritan Gjikës konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj mafies shqiptare në Amerikën Latine dhe pritet të pasohet nga ekstradimi i tij dhe hetime të mëtejshme që mund të çojnë në shkatërrimin e të gjithë rrjetit kriminal.


