Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Meta-Kryemadhi duan transmetim LIVE, Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesat e ish-bashkëshortëve

    Sherr i pazakontë në Tiranë, qytetari përleshet me policin rrugor

    Momente pikante para samitit: Vuçiç bisedon me Macron, Presidenti i Qipros përqafon Ramën

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Të tjera

    Nisin bisedimet SHBA-Iran në Islamabad

    April 11, 2026

    Bisedimet mes negociatorëve të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë nisur në Islamabad të Pakistanit, kanë raportuar mediat.

    Pakistani është mikpritës i negociatave kyç mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, teksa në fuqi është armëpushimi i brishtë, i arritur më 7 prill.

    Nuk është ende e qartë nëse takimet janë ballë për ballë apo nëse ekipet e SHBA-së dhe Iranit janë në dhoma të ndara dhe ndërmjetësit pakistanezë këmbejnë mesazhet mes palëve.

    Pavarësisht formatit të bisedimeve, këto janë negociatat e nivelit më të lartë mes dy vendeve që nga Revolucioni Islamik në Iran më 1979.

    Delegacioni amerikan përfshin të dërguarit e posaçëm, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, si dhe zyrtarë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni. Ata përballen me një ekip iranian të udhëhequr nga ministri i Jashtëm Abbas Araqchi dhe kryetari i Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf.

    Më herët gjatë ditës, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, zhvilloi bisedime të ndara me nënpresidentin amerikan, JD Vance, në Islamabad, pasi paraprakisht takoi edhe delegacionin iranian, duke nisur kështu përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin.

    Megjithatë, detaje për takimet ende nuk ka.

    Teksa negociatat po vazhdojnë në Pakistan, një postim i presidentit amerikan, Donald Trump, në rrjetet sociale dhe raportimet nga mediat shtetërore iraniane vunë në pah natyrën e tensionuar të bisedimeve.

    Trump shkroi në Truth Social se “ne tani po e pastrojmë Ngushticën e Hormuzit”.

    Ai nuk dha detaje të tjera, ndonëse postimi i tij vjen pasi Axios raportoi se luftanijet amerikane kanë kaluar përmes Hormuzit për herë të parë që kur nisi lufta më 28 shkurt. Ndërkaq, The Wall Street Journal raportoi se dy luftanije amerikane kaluan përmes ngushticës, por mediat shtetërore iraniane mohuan praninë amerikane në këtë rrugë ujore. Sipas tyre, një anije amerikane u detyrua të kthehej pasi u paralajmërua se do të sulmohej nëse nuk ndryshonte kursin.

    Më herët gjatë së shtunës, televizioni shtetëror iranian raprotoi se është paraparë që fillimisht të diskutojnë për “premtimin e shkelur” të Shteteve të Bashkuara – që me gjasë është referencë për sulmet e Izraelit në Liban kundër Hezbollahut, grup i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Izraeli.

    Teherani thotë se sulmet janë shkelje e armëpushimit të arritur me SHBA-në më 7 prill, nën ndërmjetësimin e Pakistanit. Uashingtoni argumenton njëjtën gjë për bllokadën, pothuajse të plotë, të Ngushticës së Hormuzit.

    Nënpresidenti amerikan, JD Vance, ndodhet në sfidën më të rëndësishme diplomatike të mandatit të tij, pasi në Islamabad po udhëheq delegacionin amerikan në negociatat me iranianët.

    Këto bisedime mund të përcaktojnë përfundimisht nëse armëpushimi i brishtë dyjavor do të respektohet, apo nëse rajoni do të rrëshqasë sërish drejt një konflikti të ri.

    Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 10 prill për gazetarët se pret përparim që do të “hapë Gjirin Persik me ose pa” një marrëveshje formale, teksa paralajmëroi se nuk do të lejojë që Irani të vendosë tarifa apo të kontrollojë në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit.

    Megjithatë, teksa negociatat nisën më 11 prill, rruga drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme mbetet e pasigurt, e formësuar nga presione konkurruese, dinamika të konfliktit rajonal dhe mospajtime thelbësore mbi kushtet për paqe.

    Negociata të nxitura nga presioni, jo nga besimi

    Për Ryan Bohl, analist për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në kompaninë e inteligjencës së rrezikut RANE, serioziteti i bisedimeve nuk vihet në dyshim, por rezultati i tyre është larg nga të qenët i garantuar.

    “Bisedimet janë serioze”, tha Bohl për Radion Evropa e Lirë më 10 prill, duke theksuar se ka apetit për të ndaluar një konflikt të gjatë nga SHBA-ja dhe nevojën urgjente për Iranin drejt një rruge për rindërtim dhe stabilitet të brendshëm.

    “Por, mbetet pasiguri se deri në ç’masë secila palë është e gatshme të bëjë kompromise”.

    Sipas vlerësimit të Bohlit, si Uashingtoni, ashtu edhe Teheran po negociojnë nën presion, ndonëse balanca e ndikimit nuk është e barabartë. Irani beson se ka një avantazh strategjik përmes ndikimit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit dhe tolerancës më të lartë ndaj vështirësive afatshkurtra.

    “Vullneti politik i Iranit, në terma afatshkurtër, nuk është aq i dobët sa ai i Amerikës”, tha Bohl. “Ata duket se mendojnë se mund ta përdorin këtë për të nxjerrë koncesione”.

    Ky avantazh është po aq psikologjik sa edhe material. Sipas Bohlit, Teherani po gjen mundësi në mesazhet e paqëndrueshme të Uashingtonit.

    “Teherani me gjasë i sheh komunikimet disi të çrregullta të Uashingtonit si shenjë dobësie dhe urgjence”, tha ai, duke shtuar se kjo i inkurajon të kërkojnë koncesione, siç është zhbllokimi i aseteve për rindërtim.

    Në të njëjtën kohë, kalkulimi politik i Trumpit e ndërlikon pozitën e SHBA-së. I vendosur që të mos duket sikur po bën lëshime ndaj Teheranit, presidenti mund të kufizojë fleksibilitetin e nevojshëm për një përparim, pavarësisht dobësive të brendshme që, sipas Bohlit, mund të dobësojnë pozicionin e Uashingtonit.

    Hormuzi: Aset strategjik apo kurth për përshkallëzim?

    Ky tension është më i dukshëm në Ngushticën e Hormuzit, arterien kyç për energjinë globale që Irani e ka kufizuar pjesërisht.

    Dan Arbell, një ish-zyrtar i shërbimit të jashtëm izraelit dhe studiues në Universitetin Amerikan, e përshkroi situatën si të brishtë dhe të rrezikshme.

    “Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur”, tha ai për REL-in.

    Ndërsa vazhdon një “kalim i kufizuar” i anijeve, Irani e ka lidhur rikthimin e plotë të transitit me operacionet izraelite në Liban. “Kjo sigurisht po e minon përpjekjen aktuale”, shtoi Arbell.

    Ryan Bohl e sheh qëndrimin e Iranit si një bast të kalkuluar.

    “Irani ka treguar se aktualisht e kontrollon në mënyrë efektive Hormuzin”, tha ai. “Por, Trump mund të besojë ende se duhet të përdorë forcën për ta rihapur atë nëse Irani e përdor për shumë gjatë si kartë negocimi”.

    Rezultati është një ekuilibër i paqëndrueshëm: një ngufatje strategjike që i jep Teheranit ndikim, por që rrezikon të shkaktojë pikërisht reagimin ushtarak, që ai përpiqet ta shmangë.

    Fronti në Liban: Potencialisht problemi kryesor

    Diplomacinë e ndërlikon më tej konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Irani këmbëngul se ky front nuk mund të ndahet nga një armëpushim më i gjerë.

    Bohl theksoi se Teherani e sheh këtë grup si thelbësor për të frenuar fushatat e ardhshme ushtarake izraelite: “Irani nuk mund të lejojë që Hezbollahu të eliminohet gradualisht nga izraelitët”.

    Arbell vuri në pah dhunën e vazhdueshme si një pengesë kryesore. “Izraeli po bombardon objektiva në të gjithë Libanin… ndërsa Hezbollahu vazhdon të lëshojë raketa drejt veriut të Izraelit”, theksoi ai.

    Këto zhvillime sfidojnë drejtpërdrejt procesin e negociatave në Islamabad.

    Por, ka përpjekje për ta adresuar këtë çështje. Departamenti amerikan i Shtetit pritet të jetë mikpritës i bisedimeve në nivel ambasadorësh mes Izraelit dhe Libanit më 14 prill në Uashington. Megjithatë, Arbell paralajmëroi se pritjet duhet të jenë modeste.

    “Duhet të jemi realistë”, tha Arbell. “Nuk do të ketë ndryshim brenda natës. Ky është një proces”. Ai shtoi se, ndërsa prioriteti i Izraelit është çarmatimi i Hezbollahut, grupi militant nuk ka gjasa të çarmatoset pa një ndryshim më të gjerë rajonal.

    SHBA-ja dhe Izraeli: Të harmonizuar, por jo identikë

    Një pikë kyç e përplasjes qëndron te pyetja nëse fushata e Izraelit në Liban duhet të lidhet me negociatat SHBA–Iran. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërkuar të ruajë lirinë e veprimit kundër Hezbollahut, por ky qëndrim po ndryshon nën presionin amerikan.

    “Izraeli po mbronte idenë që të mos lidhen të dyja”, tha Arbell. “Por, ditët e fundit është bërë e qartë se Shtetet e Bashkuara presin që Izraeli të ulë tensionet… për të shmangur minimin e përpjekjes më të gjerë”.

    Arbell sqaroi se ky është një “dallim në qasje” dhe jo një përçarje në aleancë. Ndërsa SHBA-ja është e përqendruar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe stabilizimin e tregjeve globale, Izraeli mbetet i fokusuar në dobësimin e kapaciteteve të Hezbollahut.

    Ai sugjeroi se një mesazh i qartë i SHBA-së për Netanyahun mund të lëshohet gjatë fundjavës, duke kërkuar përmbajtje për t’i dhënë shans diplomacisë./Rel

    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Meta-Kryemadhi duan transmetim LIVE, Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesat e ish-bashkëshortëve

    June 5, 2026

    Sherr i pazakontë në Tiranë, qytetari përleshet me policin rrugor

    June 5, 2026

    Momente pikante para samitit: Vuçiç bisedon me Macron, Presidenti i Qipros përqafon Ramën

    June 5, 2026

    Protesta për Zvërnecin, Rama: Luftë hibride, pas saj qëndrojnë iranianët

    June 5, 2026
    Mos e humb
    Fokus May 11, 2026

    Starton të hënën “Pjaca në Radar” me Alfred Pezën

    TIRANË- Një podcast i ri i dedikuar tregut të pasurive të paluajtshme, arkitekturës, arredimit dhe…

    Spiropali, ose çmimi i një diagnoze me vonesë

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Parashikimi i horoskopit 3 Qershor, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 29 Maj, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit për sot, 28 Maj 2026

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.