Një 46-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u pickua nga një bletë gjatë një ngjitjeje në mal në zonën e Karathonës, në Nafplio, Greqi.
Sipas mediave greke, pickimi i shkaktoi një reaksion të rëndë alergjik, që çoi në përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes së tij shëndetësore. Miqtë që ndodheshin me të e transportuan me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë, pasi pësoi edhe atak kardiak.
Viktima ishte baba i një vajze dhe një figurë e njohur në komunitetin lokal për angazhimin e tij në natyrë dhe aktivitete shpëtimi. Ai kishte themeluar një grup alpinizmi në rajonin e Argolidës dhe ishte pjesë aktive e një ekipi shpëtimi, duke kontribuar ndër vite në shërbim të komunitetit dhe mjedisit.


