Që prej ditës së sotme, 1 nëntor, qytetarët që udhëtojnë me linjat Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë do të paguajnë 50 lekë për biletë, nga 40 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, aboneja mujore për këto linja është rritur nga 1,200 në 1,400 lekë.
Vendimi u miratua më 26 tetor nga Këshilli Bashkiak i Kamzës, pas kërkesës së operatorit privat që menaxhon shërbimin në këto dy linja.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, tha për ATSH-në se rritja është bërë “në bazë të analizës financiare, ku kostot e operatorëve tejkalonin të ardhurat, ndërkohë që bashkia Kamëz nuk ka mundësi të subvencionojë transportin publik, siç ndodh në Tiranë”.

Memaj sqaroi se nga ndryshimet nuk preken linjat e tjera urbane të Kamzës dhe se çmimi i abonesë së përgjithshme mbetet i pandryshuar.
Aktualisht, në bashkinë Kamëz funksionojnë 8 linja urbane të menaxhuara nga operatorë privatë të licencuar, ndërsa në Tiranë operojnë 16 linja, të cilat subvencionohen nga bashkia për kategoritë e veçanta dhe për çdo biletë të shitur.
Sipas Memajt, nuk parashikohet rritje e çmimit të biletës në Tiranë, pasi subvencionet bashkiake kanë ruajtur stabilitetin e tarifave, pavarësisht kërkesave të operatorëve për rritje.


