Autoritetet amerikane kanë arrestuar mbesën e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, së bashku me vajzën e saj, nën akuzat për lidhje me regjimin iranian dhe përhapje të propagandës antiamerikane.
Bëhet fjalë për Hamideh Soleimani Afshar dhe vajzën e saj Sarinasadat Hosseiny, të cilave u është revokuar leja e përhershme e qëndrimit (“Green Card”). Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ato kanë promovuar narrativat e Teheranit dhe kanë shprehur mbështetje për struktura të cilësuara si terroriste.
Zyrtarët amerikanë pretendojnë se Afshar ka lavdëruar udhëheqjen iraniane dhe ka justifikuar sulmet ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme, duke përdorur edhe retorikë të ashpër kundër SHBA-së.
47-vjeçarja kishte hyrë në SHBA në vitin 2015 me vizë turistike, për të përfituar më pas azil në vitin 2019 dhe “Green Card” në vitin 2021. Vajza e saj kishte siguruar dokumentet e qëndrimit në vitin 2023. Sipas autoriteteve, ajo kishte udhëtuar disa herë drejt Iranit edhe pas marrjes së lejes së përhershme.
Në kontrast me qëndrimet politike, jeta e tyre në SHBA rezulton luksoze. Afshar jetonte në Los Angeles, ku shfaqte në rrjetet sociale një stil jetese me makina të shtrenjta dhe marka të njohura. Edhe vajza e saj publikonte shpesh foto nga udhëtime dhe pushime në destinacione si Miami, Alaska dhe Las Vegas.
Arrestimi është kryer nga agjentët e emigracionit, ndërsa autoritetet theksojnë se statusi i qëndrimit në SHBA është privilegj dhe mund të hiqet në rast se një individ konsiderohet kërcënim për sigurinë kombëtare.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, reagoi duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë persona që mbështesin regjime armiqësore brenda territorit të tyre.
Kujtojmë se Qasem Soleimani u vra në vitin 2020 në një sulm me dron të urdhëruar nga Donald Trump pranë aeroportit të Bagdadit, një ngjarje që rriti ndjeshëm tensionet mes SHBA-së dhe Iranit.


