Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka zbuluar planin për krijimin e një “Hexagoni” aleancash strategjike që do të përfshinte Indinë, disa shtete arabe, vende afrikane dhe mesdhetare si Greqia dhe Qipro, si dhe partnerë aziatikë.
Nisma u bë publike përpara vizitës zyrtare në Izrael të kryeministrit indian Narendra Modi, e cila pritet të zhvillohet të mërkurën. Sipas Netanyahut, qëllimi është krijimi i një boshti shtetesh me vizion të përbashkët për t’u përballur me ekstremizmin radikal, si atë shiit – të lidhur me Iranin dhe aleatët e tij rajonalë – ashtu edhe me rrymat sunite që po forcohen në rajon.
Në këtë kontekst, Netanyahu përmendi edhe përpjekjet e Turqisë dhe Pakistanit për të zgjeruar ndikimin e tyre në vende si Egjipti dhe Arabia Saudite.
Vizita e Modit konsiderohet me simbolikë të lartë dhe sinjalizon prioritetin që India i jep rajonit të Mesdheut Lindor dhe forcimit të marrëdhënieve me Izraelin. Gjatë qëndrimit të tij, Modi do të mbajë një fjalim në Knesset, do të marrë pjesë në një aktivitet inovacioni në Jeruzalem dhe do të vizitojë memorialin e Holokaustit Yad Vashem.
Bisedimet mes dy liderëve do të fokusohen në zhvillimin e programeve të përbashkëta në prodhimin e armëve, bashkëpunimin në teknologji të avancuara, inteligjencë artificiale dhe llogaritje kuantike.
Sipas Netanyahut, krijimi i këtij “Hexagoni” synon të ndërtojë një arkitekturë të re bashkëpunimi strategjik përballë sfidave të sigurisë në rajon dhe më gjerë.


