Presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj Hamasit, duke deklaruar se grupi “do të shkatërrohet” nëse nuk i përmbahet kushteve të armëpushimit me Izraelin.
Deklarata e tij erdhi gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ku ai u shfaq përkrah kryeministrit australian, Anthony Albanese, vetëm pak orë pasi Izraeli dhe Hamasi akuzuan njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes.
“Kemi një situatë të vogël me Hamasin, e cila do të zgjidhet shumë shpejt, nëse ata nuk e rregullojnë vetë, sepse po shkelni marrëveshjen,” – tha Trump, duke marrë hapur anën e Izraelit.
Ai shtoi me tone të ashpra:
“Nëse Hamasi nuk sillet mirë, ne do ta zhdukim. Thjesht kaq.”
I pyetur nëse SHBA do të ndërhynte ushtarakisht, Trump mohoi çdo përfshirje të trupave amerikane, duke lënë të kuptohet se veprimet do t’i ndërmarrin Izraeli dhe aleatët e tij.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë la vend edhe për optimizëm, duke theksuar:
“Do t’i japim marrëveshjes një shans. Shpresojmë që të ketë më pak dhunë.”
Trump kujtoi gjithashtu se sulmet ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në fillim të vitit “hapën rrugën për këtë armëpushim”, duke shtuar se ato “e hapën plotësisht Lindjen e Mesme”.


