TIRANË– Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përmes një njoftimiu zyrtar ka bërë me dije se në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë në ambientet e Urgjencës së QSUT-së, i paraburgosuri Besnik Koçiu, 50-vjeç.
Raportohet se i ndjeri ndodhej në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja”.
Bazuar në njoftim, rreth orës 07:00, personeli infermieror është vënë në dijeni se i paraburgosuri Koçiu ishte pa ndjenja në dhomën e tij. Ai është transportuar menjëherë drejt QSUT-së, ku ka mbërritur në orën 07:12 dhe është trajtuar nga ekipi mjekësor i urgjencës. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve për reanimacion, në orën 08:00 është konstatuar vdekja e tij.
50-vjeçari ndodhej në paraburgim që prej datës 16 korrik 2025, i transferuar nga Drejtoria e Policisë Tiranë në IEVP “Jordan Misja” për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”. Bëhet me dije se ai kishte deklaruar probleme shëndetësore të njohura, përfshirë Diabet Mellitus, Hipertension Arterial dhe një episod ishemik (AVC) të kaluar rreth gjashtë muaj më parë./Radar.al


