KOSOVË- Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur të hënën se një grua e plagosur një ditë më parë, 73-vjeçare, në fshatin Majac të Podujevës, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.
“Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka ndërruar jetë në orën 03:00 pas mesnate”, është thënë në njoftimin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Policia e Kosovës ka bërë të ditur në raportin e saj ditor se më 22 mars e ka gjetur të vdekur një burrë në një makinë në të njëjtin fshat, ndërsa brenda në shtëpi janë gjetur dy gra me plagë të rënda.
Betimi për Drejtësi, media e specializuar në fushën e drejtësisë ka raportuar se një 31-vjeçare është e dyshuar për vrasje dhe vetëvrasje.
Sipas këtij mediumi, burri i vrarë dyshohet të ketë qenë i dashuri i saj. SHSKUK-ja ka bërë të ditur se gjendja e 31-vjeçares është e rëndë dhe po vazhdon trajtimi i saj.
Në javën që lamë pas janë regjistruar tre persona tjerë të vdekur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri: një në Podujevë, një në Klinë dhe një në Gjakovë.
Mijëra armë zjarri pa leje llogaritet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës. Ekspertët argumentojnë se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura./REL


