Shtëpia e modës Armani konfirmoi sot ndarjen nga jeta të themeluesit dhe stilistit të madh italian, Giorgio Armani, në moshën 91-vjeçare.
“Me pikëllim të pafund, Grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të krijuesit, themeluesit dhe forcës së palodhur që qëndronte pas tij”, thuhet në deklaratën zyrtare.
I njohur si “Re Giorgio” – Mbreti Giorgio, Armani ishte simbol i elegancës dhe stilit modern italian. Ai ndërthurte artin e dizajnit me instinktin e biznesit, duke e çuar kompaninë e tij në një qarkullim prej 2.3 miliardë eurosh në vit.
Prej muajsh përballej me probleme shëndetësore, ndërsa këtë verë mungoi për herë të parë në Javën e Modës në Milano. Perfeksionist i rrallë, ai mbikëqyrte çdo detaj të koleksioneve, deri te flokët e modeleve përpara pasarelës.
Për homazhe do të hapet një dhomë mortore në Milano gjatë fundjavës, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në privatësi.


