Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    “Kishim planifikuar një dasmë madhështore”/ Juela Nikolli rrëfen momentet e vështira të vdekjes së të fejuarit

    Detaje të reja nga tragjedia në Itali, shqiptari në orarin e punës mori çengelin dhe…

    Shqiptari e përplasi me makinë, ndërron jetë pas një jave në spital pensionisti italian

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Botë

    NATO shqyrton krijimin e “Rojës së Arktikut” për t’i zbutur tensionet SHBA–Danimarkë për Groenlandën

    January 16, 2026

    Një nga mënyrat e mundshme për t’i ulur tensionet e tanishme politike mes Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me të ardhmen e Groenlandës mund të jetë themelimi i një misioni të udhëhequr nga NATO-ja, i quajtur “Roja e Arktikut”.

    Kjo ide lindi kur ambasadorët e aleancës ushtarake u mblodhën në Bruksel më 8 janar për të biseduar për çështjen e Groenlandës, ishullit danez, pasi Shtëpia e Bardhë shprehu interesim që Shtetet e Bashkuara ta përvetësojnë atë, madje duke mos e përjashtuar as ndërhyrjen ushtarake për ta arritur këtë qëllim.

    NATO-ja veçse themeloi dy misione të ngjashme më 2025: fillimisht “Roja e Baltikut”, si përgjigje ndaj sabotimeve të shumta nënujore në Evropën Veriore, dhe më pas “Roja e Lindjes”, e cila u krijua pak pasi një inkursion i madh me dronë rusë ndodhi në Poloni.

    Këto dy “roje” janë ende në vazhdim. Ato cilësohen gjithashtu si suksese të mëdha, sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë (REL), në kushte anonimiteti.

    Por, a mund të përsëritet diçka e ngjashme përreth dhe ndoshta brenda Groenlandës?

    Ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken, e ka mbështetur publikisht idenë, ndërsa Londra dhe Berlini po tregohen gjithnjë e më të hapur ndaj saj.

    Në takimin në Bruksel, pati njëzëshmëri se NATO-ja duhet ta rrisë angazhimin në rajonin e Arktikut.

    “Kanadaja ka vite që bërtet për nevojën e rritjes së përpjekjeve në Veriun e Lartë, prandaj nuk mund të themi se Uashingtoni është i pari që e sjell këtë në tryezë”, u shpreh një diplomat evropian.

    Shtatë nga tetë të ashtuquajturat vende arktike janë anëtare të NATO-s, duke përjashtuar Rusinë. Dhe, megjithëse ujërat përreth Groenlandës tani për tani nuk janë të mbushura me anije ruse dhe kineze, kjo mund të ndryshojë pasi akulli i Arktikut po shkrihet me shpejtësi dhe po hapen rrugë të reja detare.

    Komandanti suprem i aleatëve të NATO-s (SACEUR) dhe gjenerali i lartë amerikan në Evropë, Alexus Grynkewich, theksoi së fundmi në një konferencë ushtarake në Suedi se anijet ruse dhe kineze “nuk janë duke studiuar fokat dhe arinjtë polarë”.

    Ai shtoi se anijet “janë duke kryer studime batimetrike dhe duke u përpjekur të kuptojnë si mund t’i luftojnë kapacitetet e NATO-s mbi dhe nën det. Kjo është diçka që mund të rritet shumë shpejt, dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të gatshëm”.

    Në të njëjtën kohë, Grynkewich shtoi se çdo mision i NATO-s në këtë kohë është “i parakohshëm”.

    Duke folur në Berlin në fillim të kësaj jave për një mision të mundshëm si “Roja e Arktikut”, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, theksoi gjithashtu se një nismë e tillë merr me muaj kohë.

    Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është i angazhuar në bisedime me Uashingtonin për atë se si aleanca mund ta rrisë angazhimin, në një mënyrë ose tjetër.

    Diplomatë evropianë i kanë thënë REL-it se nisma “Roja e Arktikut” mbase do ta hidhte poshtë argumentin se Groenlanda duhet të jetë e Shteteve të Bashkuara dhe se do të dëshmonte se Evropa mund t’i përballojë dy fronte njëkohësisht: Rusinë në lindje dhe Rusinë dhe Kinën në Arktik.

    “Në shumë aspekte, këtu bëhet fjalë edhe për ndarjen e barrës”, tha njëri prej tyre, duke shtuar se një skenar i mundshëm mund të përfshijë mbikëqyrjen ajrore dhe detare nga evropianët, dhe rritjen e pranisë së trupave amerikane në Groenlandë.

    Shtetet e Bashkuara i kanë një personel prej 200 vetash në një bazë në Groenlandë, të angazhuar në paralajmërimin e hershëm për raketat balistike dhe mbikëqyrjen hapësinore. Gjatë Luftës së Ftohtë, megjithatë, në ishull kishte deri në 10.000 trupa amerikane të shpërndara në 17 baza.

    Një “pushkë e mbushur”

    Kjo u bazua në një marrëveshje të vitit 1951 midis Kopenhagës dhe Uashingtonit, e cila ua lejon Shteteve të Bashkuara të kenë mjete ushtarake, përfshirë baza, për aq kohë sa ekziston NATO-ja. Ky traktat mbetet në fuqi dhe nuk vendos kufizime mbi praninë ushtarake amerikane, megjithëse kërkohet pëlqimi i Danimarkës prapëseprapë, e cila me gjasë do ta jepte.

    Kjo do të hapte gjithashtu rrugën që SHBA-ja ta përdorë Groenlandën në programin e saj të mbrojtjes raketore “Kupola e Artë”, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e ka përmendur kur ka folur për ishullin gjigant.

    Ajo që do të bënin vendet evropiane do të ishte përqendrimi në mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe rrugëve detare të asaj që njihet si “hendeku GIUK”, që nënkupton zonën e gjerë midis Groenlandës nga njëra anë dhe Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar nga ana tjetër.

    Ky hendek është përshkruar si një “pushkë e mbushur” përballë Shteteve të Bashkuara, sepse është një pikë hyrëse për aktorë si Moska dhe Pekini për të kryer veprime të ndryshme, nga sabotimet nënujore deri te pushtimi i tokave, sipas një burimi.

    Vendet që ka gjasa të kontribuojnë janë kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, por edhe vende si Danimarka, Italia, Norvegjia, Holanda dhe Spanja, pasi të gjitha kanë mjete detare.

    Kjo, natyrisht, do të kërkonte disa lloje anijesh, veçanërisht kryqëzorë dhe fregata, por edhe nëndetëse dhe sidomos akullthyese. Së bashku, aleanca ka vetëm rreth 40 të tilla, më pak se Rusia, edhe pse ka përpjekje për të prodhuar më shumë.

    Pritet që shefat e Mbrojtjes së aleancës ta diskutojnë këtë më në hollësi kur të mblidhen në Bruksel më 21–22 janar, dhe më pas sërish kur ministrat e Mbrojtjes së NATO-s të mblidhen në kryeqytetin belg më 12 shkurt.

    Pengesa praktike

    Megjithatë, ka edhe hezitim brenda aleancës nëse misioni “Roja e Arktikut” është i realizueshëm. Ka shumë pengesa praktike. Për shembull, do të duheshin qindra anije për ta mbuluar një zonë kaq të madhe, përfshirë mjete që furnizojnë anijet ushtarake.

    Përveç vendeve nordike dhe Kanadasë, ka pak trupa që kanë përvojë në veprimin në kushte të ashpra arktike. Prandaj, në operacionin e tanishëm të udhëhequr nga Danimarka, “Operacioni Qëndrueshmëria e Arktikut”, në dhe rreth Groenlandës, marrin pjesë trupa nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Holanda dhe Norvegjia.

    Dhe, ndonëse jo të gjithë duhet të kontribuojnë, të gjithë duhet ta japin pëlqimin për të nisur një mision të tillë.

    Po amerikanët, do të pajtohen me këtë?

    Në takimin e ambasadorëve të NATO-s më 8 janar, Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara u pajtuan se kjo është çështje dypalëshe, tani për tani.

    Kjo e nxiti një takim në Uashington më 14 janar mes ministrave të Jashtëm të Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara, i organizuar nga nënpresidenti amerikan JD Vance.

    Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, theksoi pas takimit se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin ndryshuar qëndrimin e tyre për Groenlandën, por gjithashtu shtoi se do të ngrihet një grup punues i nivelit të lartë me zyrtarë amerikanë dhe danezë për t’i shtjelluar çështjet në javët në vijim.

    Në Bruksel, kjo shihet si një shenjë se mund të ketë “marrëveshje” që i përshtatet të gjithëve, me një rol të zgjeruar të NATO-s.

    Derisa ekziston frika për një ndërhyrje ushtarake, shumica e atyre me të cilët ka folur REL-i ende e shohin këtë si “të pamundur” dhe besojnë se presidenti amerikan po përdor të njëjtën taktikë të fortë negociuese që përdori kur siguroi angazhimin për shpenzime në mbrojtje prej 5 për qind nga të gjithë aleatët në samitin e Hagës vitin e kaluar.

    Tani bëhet fjalë që evropianët të shpenzojnë më shumë dhe më shpejt, dhe të mos përqendrohen vetëm në krahun e tyre lindor./REL

    Bruksel Groenlandën tensionet SHBA–Danimarkë
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    “Kishim planifikuar një dasmë madhështore”/ Juela Nikolli rrëfen momentet e vështira të vdekjes së të fejuarit

    April 18, 2026

    Detaje të reja nga tragjedia në Itali, shqiptari në orarin e punës mori çengelin dhe…

    April 18, 2026

    Shqiptari e përplasi me makinë, ndërron jetë pas një jave në spital pensionisti italian

    April 18, 2026

    Ky është spraji që efektivët hodhën për shpërndarjen e protestuesve të PD, përdoret prej dekadash nga policia

    April 18, 2026
    Mos e humb
    Fokus April 5, 2026

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Nga Flogert Muça Në diskursin politik shqiptar, sa herë që procesi i integrimit në Bashkimin…

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    “Po pushton Tiranën”/ Pse Philipp Plein i adhuron shqiptarët? (VIDEO)

    Ish-shoqëruesi besnik i Fatos Nanos: Arben Ahmetaj, dy fjalë kam për ty

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Parashikimi i horoskopit 17 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 16 prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Horoskopi për ditën e sotme, 15 Prill 2026

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.