Finlanda ka marrë një vendim të paprecedentë në historinë e saj të sigurisë: parlamenti votoi sot me shumicë dërrmuese për t’u tërhequr nga Konventa e Otavës, që ndalon përdorimin e minave tokësore kundër personelit.
Vendimi vjen mes rritjes së tensioneve me Rusinë fqinje dhe shqetësimeve për një kërcënim të mundshëm ushtarak. Me 157 vota pro dhe vetëm 8 kundër, parlamenti finlandez i hapi dritën jeshile ushtrisë për të rikthyer minat tokësore si pjesë të mbrojtjes së kufirit të gjatë prej 1 340 kilometrash me Rusinë.
Finlanda i bashkohet kështu Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Polonisë që tashmë janë larguar ose kanë paralajmëruar largimin nga traktati i nënshkruar më 2012. Sipas ushtrisë finlandeze, minat tokësore janë të domosdoshme për të penguar çdo përpjekje të mundshme agresioni.
Kujtojmë që Konventa e Otavës, e hyrë në fuqi në vitin 1999, ndalon përdorimin, prodhimin dhe depozitimin e minave tokësore. Megjithatë, disa vende të mëdha si SHBA, Rusia, Kina, India dhe Pakistani nuk e kanë nënshkruar kurrë këtë traktat.
Finlanda, e cila pas dekadash neutraliteti iu bashkua NATO-s pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, po e rikonfiguron tashmë mbrojtjen e saj përballë kërcënimeve të reja në kufirin lindor.


