Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Karbunarë e Vogël, Lushnjë, ku një tufë ujqërish ka sulmuar vathën e blegtorit Namik Sinani, duke shkaktuar masakër në kopenë e tij prej 80 krerësh dhi e dele.
Sipas familjarëve, sulmi ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit, ku ujqërit arritën të mbysnin 40 krerë, ndërsa pjesa tjetër mbeti e plagosur. Fillimisht, blegtori mendoi se bëhej fjalë për hajdutë, por më pas u përball me pamjen e ujkut.
Banorët e zonës thonë se prej kohësh pylli i “Zgjanës” është kthyer në strehë të ujqërve, numri i të cilëve është shtuar ndjeshëm. Ata shprehen të frikësuar se grabitqarët tashmë po zbresin deri në qendrat e banuara.
Namik Sinani kërkon ndërhyrjen e shtetit dhe kompensimin e dëmeve, duke theksuar se një pjesë e tufës ishte e matrikulluar dhe pjesa tjetër përbëhej nga krerë të rinj të saposhtuar.


