Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka depozituar një kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku ngre shqetësimin për një mospërputhje serioze në numrin e fletëve të votimit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Sipas saj mungojnë mbi 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit duke ngritur dyshime të forta mbi integritetin e procesit zgjedhor.
Në dokumentin e dorëzuar nga përfaqësuesi i saj në KQZ Franci Nuri PD-ASHM i referohet vendimit nr 407 datë 4 prill 2025 ku është miratuar prodhimi i 3 milionë e 534 mijë e 792 fletëve votimi për 5225 qendra votimi në të gjithë vendin duke përfshirë dhe rezervën prej 2 për qind. Por të dhënat zyrtare të vetë KQZ-së tregojnë se në kutitë e votimit janë gjetur rreth 1.4 milionë fletë të përdorura ndërsa afro 1.9 milionë të tjera janë deklaruar si të papërdorura dhe vetëm 5 mijë si të dëmtuara. Kjo krijon një boshllëk prej 130 mijë e 754 fletësh votimi për të cilat nuk jepet asnjë shpjegim
Për këtë arsye PD-ASHM kërkon nisjen e një hetimi administrativ urgjent si dhe verifikimin e përmbajtjes së të gjitha kutive të votimit në rang vendi në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor. Partia kërkon gjithashtu sqarime të detajuara për vendndodhjen dhe trajtimin e këtyre fletëve të munguara pasi sipas saj mungesa e tyre vë në pikëpyetje legjitimitetin e procesit dhe rrit dyshimet për manipulim të mundshëm
Në përfundim PD-ASHM paralajmëron se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të mbrojtur votën e qytetarëve dhe për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie në administrimin e zgjedhjeve
KËRKESA E PD-ASHM
Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)
Lënda: Kërkesë për verifikim të menjëhershëm
Baza ligjore: Kushtetuta e RSH; nenet 19, 97, 99, 123/1, 160 e vijues të Kodit Zgjedhor.
Nga: Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM)
I nderuar z. Komisioner,
Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me informacionet dhe të dhënat zyrtare që na janë përcjellë nga KQZ ditën e djeshme, si rezultat i kërkesave tona të përsëritura gjatë procesit të ankimimeve të PD-ASHM në KAS.
Shqetësimi ynë lidhet me faktin se, për zgjedhjet e 11 majit 2025, mungojnë më shumë se 130 mijë fletë votimi për zgjedhësit brenda vendit.
Më datë 04.04.2025, me vendimin tuaj nr. 407, “Për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi për zgjedhësit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”, në faqen nr. 138 të materialit specifikohet qartë se në rang vendi janë miratuar:
5.225 Qendra Votimi (QV)
3.467.962 zgjedhës
66.830 fletë votimi rezervë (që përfaqësojnë 2% rezervë)
dhe në total: 3.534.792 Fletë Votimi (FV)
Por, sipas të dhënave zyrtare të vetë institucionit që ju drejtoni, rezulton:
3.534.792 fletë votimi të prodhuara
1.463.204 fletë votimi të gjetura në kutitë e votimit
1.935.834 fletë votimi të deklaruara si të papërdorura
5.000 fletë votimi të deklaruara të dëmtuara
Pra, diferenca tregon qartë se mungojnë saktësisht 130.754 fletë votimi të papërdorura!
Në vijim të sa më sipër, kërkojmë:
Nisjen e një hetimi administrativ urgjent nga ana e KQZ-së dhe verifikimin e përmbajtjes së fletëve të votimit në të gjitha kutitë në rang vendi (5.225 QV), në përputhje me nenin 160 dhe vijues të Kodit Zgjedhor.
Sqarime të detajuara mbi këtë situatë faktike, për të treguar qartë vendndodhjen dhe trajtimin e mbi 130.000 fletëve të votimit, pasi nuk përputhet numri total i fletëve të prodhuara me shumën e atyre të përdorura + të papërdorura + të dëmtuara.
Me respekt,
Përfaqësuesi i PD-ASHM në KQZ
Franci Nuri


