Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka deklaruar në emisionin “Studio 24” se gjatë periudhës që ka ushtruar detyrën, kryeministri Edi Rama nuk i ka telefonuar asnjëherë për të ndërhyrë në çështje të ligjshme apo të paligjshme.
Nano theksoi se largimi i tij nga detyra përkoi me dy ngjarje të rënda që tronditën opinionin publik.
Ai u ndal veçanërisht te ngjarja e ndodhur në Potam, Himarë, ku një punonjës policie, duke drejtuar një mjet lundrues, goditi për vdekje një të mitur.
Sipas Nanos, kjo ishte një ngjarje që e preku personalisht dhe profesionalisht, sidomos për faktin se autori ishte efektiv policie. Ai tha se rasti mori përmasa të mëdha në publik dhe mbetet një moment i vështirë në kujtesën e tij.
Një tjetër ngjarje që përkoi me periudhën e largimit të tij ishte zhdukja (apo rrëmbimi) e Ervis Martinajt, një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri. Nano sqaroi se rasti është hetuar nga Policia e Shtetit dhe ishte në zhvillim gjatë kohës që ai u largua nga drejtimi i institucionit.
Nano u shpreh gjithashtu kritik ndaj mënyrës si trajtohet Policia e Shtetit në debatet publike, duke theksuar se nuk duhet të përgjithësohen rastet individuale.
Ai theksoi se: Qeveria duhet të garantojë jo vetëm pagat, por edhe qëndrueshmëri dhe siguri në karrierë për efektivët.
“Nuk mund të futen të gjithë punonjësit e policisë ‘në një thes’. Ka pasur raste kur vetë policia ka identifikuar dhe marrë masa ndaj efektivëve të përfshirë në shkelje.”
Sipas tij, përmirësimi i situatës kërkon vullnet politik dhe mbështetje institucionale, pasi “nëse politika do, policia bëhet”.


