Bashkia e Pukës njofton qytetarët se për shkak të reshjeve të dendura gjatë orëve të fundit, disa problematika kanë prekur territorin e bashkisë.
Aktualisht, disa fshatra në njësinë administrative Gjegjan janë pa energji elektrike. Gjithashtu, janë regjistruar rrëshqitje dherash dhe gurësh në disa akse rrugore, duke krijuar vështirësi në qarkullim.
Rruga nacionale Pukë–Fushë-Arrëz është e bllokuar përkohësisht për shkak të shembjeve masive të dherave. Ekipet e bashkisë dhe kontraktori i mirëmbajtjes rrugore janë në terren, duke punuar intensivisht për hapjen e këtij aksi të rëndësishëm.
Strukturat e Emergjencave Civile monitorojnë situatën 24/7 dhe po mbledhin të dhëna për administrimin e plotë të dëmeve. Bashkia siguron qytetarët se situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik.
Bashkia Pukë thekson angazhimin maksimal për menaxhimin efikas të emergjencave natyrore, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet përkatëse dhe komunitetin lokal. Qëllimi është minimizimi i dëmeve dhe rikthimi i normalitetit sa më shpejt në zonat e prekura.


