Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe më 14 nëntor 2025 ka dërguar për gjykim procedimin penal në ngarkim të kryetares së Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, e cila akuzohet për përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.
Hetimet treguan se Bufi i kërkoi shtetasit G.B., përfitues i programit social “Përmirësimi i Kushteve të Banimit për Familjet e Varfëra dhe të Pafavorizuara”, të mos marrë pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihet në aktivitetet e partive të tjera politike. Sipas SPAK, kërkesa u bë nën kërcënimin e masave administrative dhe kundër vullnetit të tij.
Transkripti i një audiopërgjimi, të publikuar në media, tregon se Bufi shfaqet e revoltuar ndaj G.B. dhe i kërkon atij: “që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapë gojë, të mos flasë as ai as familja e tij, të shikojë punën e tij, të rrijë në shtëpinë e tij dhe të mos shkojë fare të votojë.”
Hetimi zbuloi gjithashtu se para takimit të kryebashkiakes me G.B., punonjës të IMT-së së Bashkisë Roskovec kishin shkuar në banesën e tij për të verifikuar punimet dhe për të ndaluar vazhdimin e tyre. Në takimin në Bashki, Bufi ushtronte presion duke përmendur tejkalimin e ndihmës dhe ndërtimin pa leje, si dhe mesazhet ku shtetasi shprehte përkrahje për kandidatin e opozitës.
Megjithë presionin, G.B. ushtroi të drejtën e tij për të votuar në 14 maj 2023, sipas vullnetit të tij.


