Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Pas seancës plenare, kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, reagoi përmes rrjeteve sociale duke e cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm për zbatimin e vizionit “Shqipëria 2030”.
Peleshi theksoi se puna e Kuvendit do të vijojë mbi bazën e Kushtetutës, Rregullores dhe Kodit të Etikës, duke garantuar transparencë dhe standarde të larta pune.
“Objektivi ynë është të ecim në përputhje me praktikat më të mira të parlamenteve të Bashkimit Europian, ku Shqipëria synon të integrohet,” u shpreh ai.


