Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, vizitoi sot punonjësit e Policisë së Shtetit që u lënduan gjatë protestës së opozitës, duke marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në Shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT.
Përmes një komunikimi për mediat, Koçiu theksoi se qëllimi i protestës ishte dhuna ndaj efektivëve dhe kërkoi që autorët të vendosen para përgjegjësisë.
“Është protesta e dytë që drejtohet kundër punonjësve të policisë. Efektivët janë prindër, vëllezër dhe çdo ditë punojnë për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve,” tha ministrja, duke shtuar se gjatë ngjarjes disa gazetarë gjithashtu kanë pësuar lëndime.
Ministrja theksoi se 16 efektivë policie pësuan djegie të konsiderueshme, ndërsa disa mbetën të plagosur nga molotovët dhe bomba artizanale. Ajo identifikoi disa prej efektivëve të lënduar: Ledio 26 vjeç dhe Kreshniku 38 vjeç.
“Dua ta them qartë: ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kjo nuk është protestë, nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje. Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjelljeje të përsëritur të dhunës nga disa elementë kriminalë, të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën,” deklaroi Koçiu.


