NGA Viktor Zhusti
NJË HERO I KOHËS SONË
(Ese ne vend të një emisioni të refuzuar)
Duke kërkuar disa shënime në librin “SAPIENS” të Yuval Noah Hararit, (janë dhe tre xhevahirë të tjerë të tij) gjej rastin t’ua rekomandoj, jo si libri më i shitur në historinë e letrave, por privilegj për të njohur e komunikuar me një nga mendjet më të ndritura të shekullit tonë), në raftin e bibliotekës, ndesha të vjetrin e faqezverdhur, heroin tonë të viteve studentore, romanin e Lermontovit, me hero vanitozin Peçorin:
“NJË HERO I KOHËS SONË”.
Harrova Hararin, nisa ta shfletoj e ashtu, mes kujtimeve që më zgjoi, ngriti kryet pyetja:
“Po koha jonë, a ka një hero?”
I thellë dhe i vështirë për ta kapercyer mu duk hendeku që sajoi mendja këtë çast, pasi, fillimisht, duhet të paraprijnë ca të tjera pyetje:
– Ç’kuptoj me termin “koha jonë?”
– Cilat janë kërkesat dhe pretendimet e kësaj kohe?
– Ç’prototipe ka krijuar që dhe ta përfaqësojnë atë?
Edhe nëse këto pyetje do kishim marrë udhë (“shkaktove erën, prit stuhinë”), hendeku do vazhdonte të thellohej nga vërshimi i një varg pyetjesh të tjera:
– “ Në ç’fushë?
– Nga e si u krijua?
– Për ç’vepra?
E, si për ta ngatërruar me tepër këtë ekuacion, jo pak të ngatërruar,
do shtohej pikpyetja e madhe:
“Duhet ditur në ç’kohë jetojmë që të dimë dhe cili është heroi i saj, apo duhet të dimë cili është heroi i saj, që të marrim vesh se në ç’ kohë jetojmë?”
E keqja ishte se, në këtë udhëkryq dilemash, miku dhe kolegu im LAERTI, me të cilin diskutoj e konsultohem herë pas here, nga që njoh dhe respektoj formimin dhe aftësitë e tij, kishte rënë në një “kurth” televiziv.
Ashtu i vetëm, siç ndodh shpesh në teatër, kur për të krijuar një atmosferë meditimi: dritat zbehen, lëshohet një fjollë tymi, dëgjohen ca nota legato në telin Sol… edhe mendja ime u përhumb e nisi të tjerrë…
Kur je i “MBYLLUR”, qoftë në BBV4 a në cilindo nga të mëparëshmit, në Burgun 313 të Tiranës a çdo qyteti tjetër, në PSIKIATRI, a cilindo pavjon tjetër, bota dhe optika të ngushtohen në raport me hapësirën ku je izoluar. As e ke idenë se ç’ndodh e si gjykohesh nga jashtë, sikurse dhe ata jashtë, as që kuptojnë se çfarë e përse, në të vërtetë, ndodhin “marifetet” atje brenda.
Lidhja midis dy botëve (asaj jashtë e tjetrës brenda), ndërpritet. Komunikimi, zero.
Informacioni i vetëm, vjen nga “racioni” që të jep moderatori,
gardiani, infermjeri… pasi ti vetë, nuk vendos dot, je i ndërvarur, aspak zot i vetes, s’ke mundësinë as dhe lirinë, e jo më lluksin të veprosh e luash.
Je kthyer vetë në lodër.
Njerëzit presin, shohin, argëtohen, pozicionohen, shajnë, lëvdojnë, mbrojnë, përbuzin, mohojnë, zilepsen, adhurojnë… por asgjë nga këto nuk hyn atje brenda, që të mund ta kurdisësh orën sipas kohës reale. Të kanë mbyllur që të mos “ndikohesh”, dhe ata jashtë, ata që mbushin shkallët e cirkut, presin me padurim ndeshje, garë, nerva, lot, konflikt, thirrje, decibel, ulërima…
Normalja, s’ka efekt.
Logjika, s’ka interes.
Urtësia, prish punë.
Zot, na ruaj mendjen !
“Marrëzia dhe mençuria, shkruan D. Agolli, flenë në një shtrat, puna është se cila zgjohet më herët”
Për vete, nuk kam pasur asnjëherë pikpyetje se cila zgjohet më herët tek LAERTI, pasi nuk kam parë t’i verë ndonjëherë në gjumë.
Rruga plot kthesa e jetës, marrëdhënia me njerëzit, teatri, përvoja… më ka bërë të kuptoj që njeriu nuk ndryshon.
Dhe LAERTI, këto 25 vjetët e fundit që njihemi nga afër, nuk ka ndryshuar karakter e karakteristika, veç i ka theksuar.
Jeta, gjithashtu me ta treguar
(dhe jo një herë) që, sado të jesh i bindur që e njeh dikë, mos beso kurrë se e ke njohur deri në fund.
Jo!
Asnjëherë!
Jo dorën në zjarr!
Për asnjë!
Këtë ma vërtetoi dhe miku im, në BBV4. Më pataksi me një sërë të papriturash befasuese.
Fillimisht, e gjykova të gabuar vendimin e tij për tu futur atje, ndonse edhe Big Brother, një lloj teatri është, i ngjashëm me “Happening Theatre”, aq në modë ne gjysmën e parë të shekullit të kaluar, por u zhgënjeva dhe shushata, kur pashë sa mirë e njeh ai veten dhe sa mjeshtërisht e zotëron “artin e lojës”.
Ndonse nuk e kam ndjekur rregullisht, për shkak të provave intensive me “12 burra të zemëruar”, vetëm se, nga disa seanca në TV, postime në FB e Instagram, “portokallizimi” i shëlqyer dhe diskutimet e pafundme plot pathos nëpër rrugë e kafenera, kam ndjerë një cunam shurdhuese.
Diskutimet, janë sa miratuese, aq dhe mohuese, e kur në këtë mes futet dhe anësia, acarimi dhe grindjet, konkurojnë denjësisht me ato në panelet e politikës.
Mund të shash, mund të kesh ankesa, mund të thuash ç’të duash, por që nuk jemi të “angazhuar”, nuk e thua dot!
Që LAERTI është i mprehtë e i kulturuar, kolegët e dine dhe e respektojnë, tani përmes BBV4,
e mësoi krejt shqiptaria.
Përdora termin “shqiptaria”, pasi miku im e pëlqen dhe e konsumon si fjalë, dhe e ka si kartë që e luan me shpirt e forcë, pa lënë t’i shpëtojë rasti.
Ndikon, ndoshta, ne këtë formim dhe prejardhja (të dy prindërit, njerëz të librit dhe të armëve). Nëna e ti dhe e njohura ime familjare, Zonja e nderuar Reveka (dikur me gradën MAJOR), në takimin “suprizë”, si në tragjeditë e antikitetit, duke deklamuar plot pathos, e thirri: “KAPEDAN”, se… dhe ajo, ai çdo nënë, kujton se ka lindur një HERO, kur, në të vërtetë, ka lindur AKTOR.
LAERTIT, në BBV4, i është dashur të bëje një “luftë” të pabarabartë,
që s’e ka pasur për gjë ta përballojë, pasi ka intuitë dhe mençuri, por shpesh, i është dashur dhe ta “dredhë”, që gjithashtu nuk e ka për gjë, pasi është aktor dhe i talentuar.
Ka kaluar situata “të vështira”, por ka qëndruar mbi to, nga që e di se, në fund të fundit, të gjitha janë “furtuna në gotën e ujit” dhe gjithë nervat, konfliktet, acarimet, klithmat e kacafytjet midis VIP-ave janë duele me pistoleta plastike kalamajsh, që gjuajnë me ujë…
Për këto, s’ia ha qeni shkopin.
Me kësi lloj armësh, është snajper.
Nuk më çudit kjo!
“Heroizmat” dhe trimëria edhe pse nuk i mungojnë në të përditshmen, në BB ndalohen, pasi gjithsecili prej tyre ka një “V” të madhe në fletëhyrje dhe, nga ana tjerër, nuk i ka gjykuar si të nevojshme, se të qe ndryshe… o nëne ku je…
Dikur, diku, nga dikush, kam dëgjuar se “Çunat e Pazarit të Ri, “të këputin në mes…”!
Keni parë diçka të tillë nga LAERTI, edhe pse banon në Pazar të Ri ?
– Ai, është “gladiator” po asnjëherë nuk mer mundimin të luftojë nëse nuk i shikon të mbushura shkallët e “arenës” dhe në tribunë nuk ka “patricë”.
– Mban çdoherë një shishe uji në dorë, po s’ta hedh në surrat, nëse rreth e rrotull nuk ka kamera.
– Ulërin sa ka në kokë, po është i mikrofonizuar dhe e di që syri i kamerave e ndjek në çdo hap.
A nuk tregojnë të gjitha këto se ai kontrollon e llogarit gjithçka me kujdes? Sajon e vepron vetëm kur ka sy dhe kamera. Nuk shet xhaba. LUAN. Po di kur dhe si të luajë, pasi është aktor dhe HIPOKRIZIA është mjeshtëria e aktorit.
Kështu që, mos prit nga LAERTI të të ndajë më dysh. Vërtet banon në Pazar të Ri, por me qera…
Në greqisht, interpretimi quhet dhe «Υποκριτική», hipokrizi, shtirje, tjetërsim, luan dikë tjetër, ke maskë mbi fytyrën e vërtetë, ke një rol, pra LUAN. Dhe ai di të luajë bukur!
Ka mbaruar Akademinë Teatrale pranë Teatrit Nacional në Athinë.
Miku im, LAERT!
Shumë herë ke shkëlqyer, po jo dhe pak herë më ke bërë të ndjehem ngushtë e të rrudh buzët.
Big Brotheri, skanoi dy anë bazike të personalitetit tënd:
– JETËN (shock-u traumatik
i njomëzakut 9 vjeçar…)
– KARAKTERIN (lehtësia dhe natyrshmëria për të demostruar dije enciklopedike që i bëri të skuqen të ashtuquajturit VIP-a,
e deri te shfaqja e një histerie akute, që nuk do ta vinin ne mëdyshje psikiatrin, a duhet të të vishte “këmishën e forcës”).
POR, JAM I BINDUR që edhe në këto dy aspekte, e vërteta është e dyshimtë dhe gjithçka është lojë.
LOJA ËSHTË QËLLIM !
MISIONI ËSHTË TË LUASH !
Të luash fort, egër, tmerrues, besueshëm, pa gjak. Thikën ngrije po mos e ngul. Bëje publikun të klithë ngjethshëm dhe stop.
Kaq duhej. Ky qe misioni.
Kova të tëra gjaku derdhen në skenë e film, qajmë e na shtrëngon zemra për plagët që kullojnë, harrojmë që ai është aktor dhe ajo bojë e kuqe. Rëndësi ka të duket e besohet për gjak, që të tronditë, magjia të ketë efekt. Përralla të besohet.
Sa më të vërtetë ta bësh “gënjeshtrën”, aq më i besueshëm je, për pasojë dhe më i talentuar.
Për deri sa, vitin e kaluar, publiku u befasua nga një “diagnozë kanceri”, përse dhe “pedofilia” jote, të mos jetë një “gong” i fortë emocional, për të shkundur të shushaturit që gdhihen e ngrysen para ekranit ?
Kam besim se do dalësh nga kjo aventurë duke fërshëllyer motivin e ABBA-ve “Money, money, money”, por jashtë edhe mund të takosh ndonjë nga ata që e kanë gati në buzë jaren shkodrane:
“Ku, ku, për ne, o Zot…”
Se vërtet gjejmë justifikim e fshihemi nën mantelin e Makiavelit (“qëllimi justifikon mjetet”), por e keqja është se kjo dreq paraje, të blen e të shet, vjen dhe ikën, e sikur të mos mjaftonin gjithë këto, ajo “lanete” bërtet dhe mban erë gjatë… e kam provuar vetë!
Kometa, gjatë fluturimit, shndërit e duket vetëm një çast, bishti i saj vazhdon të duket gjatë…
Po afrohet finalja.
Aspak suprizë për mua.
Hyre në BBV4, pe, njohe, luftove, do fitosh (uroj më tepër mend se €), po sa më parë, kthehu në TEATËR, këtu, mes kolegëve (kusur e ke, të mos i kesh të gjithë VIP-a, si atje, por, mos të vijë keq, ndonjerin prej tyre, as e krahasoj dhe as e ndërroj me Qaniun tonë të mirë), prandaj kthehu mes miqve e publikut, që të njeh, të do, të respekton dhe kërkon të të shohë NDRYSHE!
Krijo e luaj role, jo më LAERTIN.
Je pjesë e artit të skenës, jo e cirkut.
Ndjesë. U zgjata. Duket më mungon aftësia të shkruaj shkurt, ose nga që besoj se pa pluguar nuk mund të mbjellësh, e jo më, të zerë fara.
BIG BROTHER, ky “brend”, kjo “patentë”, ky “eksperiment social”, ku testohet për bukuri IQ ose katandia e një shoqërie (i solistëve brenda dhe korit nga jashtë), tek ne, është kthyer në një “bum” mediatik dhe biznes, që do ti linte pa gojë kërkuesit e dikurshëm të arit…
E, nëse BBV, është një fenomen tipik social, LAERT VASILI, me gjithë aventurat e ç’zbuloi në të, është:
“HEROI TIPIK I KOHËS SONË”


