Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili i ka kërkuar Gjykatës së Lartë t’ja heqë masën e sigurisë “arrest me burg”, do të marrë lajmin më datë 27 shkurt nëse do vendoset pro tij.
Rekursin e Metës dhe Monika Kryemadhit do ta shqyrtojnë Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, të cilët janë caktuar nga gjykata, raporton Radar.al.
Ilir Meta është arrestuar prej tetorit të vitit të kaluar dhe ai kërkon një masë më të butë sigurie. Ai ka kërkuar ti hiqet masa e arrestit me burg në lidhje me postin e tij si drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe situatës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara Cez-Dia, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij. Gjykata e Posaçme e shkallës së parë dhe ajo e apelit kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet në paraburgim te 313-ta.


