Rikthimi i Lionel Messit te Barcelona po përflitet sërish me forcë. Legjenda argjentinase, aktualisht pjesë e Inter Miami në MLS, raportohet se po mendon të largohet nga SHBA përpara përfundimit të kontratës, për t’u përgatitur më mirë për Botërorin 2026. Sipas gazetarit Esteban Edul nga ESPN Argentina, 38-vjeçari po konsideron të largohet nga kampionati amerikan në janar, rreth gjashtë muaj përpara Kupës së Botës, për të luajtur në një ligë më konkurruese.
Bisedimet për rinovimin me Inter Miami janë pezulluar, ndërsa spekulimet për një rikthim të mundshëm te Barcelona kanë marrë hov. Megjithatë, një pengesë serioze për këtë lëvizje mbetet marrëdhënia e ftohtë me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta. Gazetari i njohur Guillem Balague ka theksuar se Messi nuk e konsideron kthimin për sa kohë Laporta qëndron në krye të klubit katalanas.
Messi, që triumfoi në Botërorin 2022 me Argjentinën, kërkon të mbrojë titullin në turneun e ardhshëm dhe duket se po e merr seriozisht përgatitjen. Nëse kushtet ndryshojnë, një rikthim te Barça do të ishte skenari perfekt për një lamtumirë madhështore nga futbolli europian.


