Mateusz Morawiecki, i cili ishte kryeministër i qeverisë konservatore të krahut të djathtë të Polonisë në vitin 2021, shkroi në X se Angela Merkel “kishte vërtetuar me intervistën e saj të pamenduar se është ndër politikanët gjermanë që i kanë shkaktuar dëmin më të madh Evropësnë shekullin e kaluar”.
Kritika ndaj deklaratave të ish-kancelares gjermane kanë ardhur edhe nga qeveria aktuale liberale polake. Pretendimi se dikush nuk u ul në tryezën e negociatave me Rusinë në kohën e duhur është “absurd”, sepse Rusia është qartësisht agresorja, tha për Polsat News, ministrja e Fondeve dhe Politikës Rajonale Katarzyna Pełczyńska-Nałęcz. “Këto fjalë janë krejtësisht të papërshtatshme sot dhe ato i shërbejnë propagandës ruse”, shtoi ajo.
Mbështetje nga Rusia
Deklaratat e Angela Merkel kanë tërhequr vërtet shumë vëmendje në Rusi – dhe janë pritur me miratim. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, komentoi: “Mund të mendohet se znj. Merkel ka të drejtë në këtë drejtim”. Bashkimi Evropian, tha ai, është “fatkeqësisht peng i politikave fanatike të shteteve baltike dhe Varshavës” në çështjet e politikës së jashtme. Duma ruse tha se Polonia dhe shtetet baltike po bëjnë gjithçka që munden për të “provokuar” konflikte.
Shkencëtari politik pro-Kremlinit, Sergei Markov, “festoi” momentin e deklaratës së Angela Merkelme një postim në kanalin e tij Telegram. “Merkel e di dhe e kupton se në Evropë trendi i konfliktit me Rusinë është zhvendosur kundrejt dëshirës për paqe me Rusinë”, pohoi Markov.
Për çfarë u zhvillua samiti i BE-së në qershor 2021?
Propozimi për të mbajtur një samit BE-Rusi ishte temë diskutimi në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së në qershor 2021. Iniciativa erdhi nga Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron. Në atë kohë, samitet BE-Rusi nuk ishin mbajtur që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe mbështeti separatistët në Ukrainën lindore.
Në fillim të vitit 2021, situata në Ukrainën lindore u përkeqësua. Numri i shkeljeve të armëpushimit në Donbas u rrit përsëri. Zbatimi i marrëveshjeve të Minskut për të zgjidhur konfliktin nga viti 2014 dhe 2015 kishte ngecur prej kohësh.
Nga ana tjetër, kontaktet midis Perëndimit dhe Rusisë u rinovuan. Presidenti i atëhershëm i SHBA-së Biden, u takua me Vladimir Putin në një samit në Zvicër në mesin e qershorit 2021. Pak më vonë, Putin, në një artikull në të përjavshmen gjermane “Die Zeit”, mbështeti “rinovimin e një partneriteti gjithëpërfshirës me Evropën”.
Propozimi i Merkel dhe Macron për të mbajtur një samit të BE-së me Putinin mori mbështetjen, ndër të tjera, të Italisë dhe Austrisë. Megjithatë, u kritikua nga Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia.
Holanda ishte gjithashtu skeptike. Kryeministri letonez Krisjanis Kariņs tha më pas se duhet të shmanget përshtypja e “shpërblimit” të Putinit me një samit pa zgjidhje paraprake për situatën në Ukrainën lindore.
Nord Stream 2 minoi besimin në Gjermani
Në të njëjtën kohë, po zbatohej një projekt gjermano-rus që ishte një halë në sypër anëtarët e BE-së të Evropës Lindore dhe vetë Ukrainën: tubacioni Nord Stream 2, i cili supozohej të lidhte drejtpërdrejt Rusinë dhe Gjermaninë.
Në fillim të qershorit 2021, Vladimir Putin konfirmoi përparimin në ndërtimin e tubacionit të gazit. Polonia dhe shtetet baltike këmbëngulën në “mbylljen” e projektit.
Nord Stream 2 dëmtoi përgjithmonë marrëdhëniet, kujton Pabriks, atëherë ministër i Mbrojtjes i Letonisë: “Ne paralajmëruam kundër kësaj varësie nga Rusia si një gabim gjeostrategjik. Në të njëjtën kohë, Merkel personalisht pretendoi se Nord Stream 2 ishte një çështje thjesht ekonomike dhe nuk kishte të bënte fare me politikën.”
Me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, dallimet në opinione brenda BE-së fillimisht u zbehën në sfond. Nord Stream u dëmtua përgjithmonë nga shpërthimet në shtator të vitit 2022. Angela Merkel duket se e ka kuptuar këtë: “Sot nuk do të jemi më në gjendje të shpjegojmë se çfarë do të kishte ndodhur nëse… dhe a do të kishin ndryshuar kohërat”, tha ajo në intervistën me gazetën hungareze “Partizan”./DW



